Deputetët duan kompleks të ri parlamentar, do të kushtojë rreth 11 miliardë lekë

27 Shtator 2019, 16:09 | Përditesimi i fundit: 2019-09-27 16:35:38

Mungesa e hapësirave të nevojshme në Kuvend, ka bërë që deputetët t'i rikthehen kërkesës për një godinë të re. Ligjvënësit kërkojnë të ndërtohet një kompleks i ri parlamentar me vlerë 11 miliardë e 250 milion lekë në një afat kohor prej 4 vitesh”.

Në relacionin e projekt buxhetit të Kuvendit të Shqipërisë që disponon Report tv thuhet se ndërtimi i kompleksit të ri parlamentar do tu japë fund shumë problemeve të krijuara nga zhvillimi i aktiviteteve parlamentare në dy godina të ndryshme, ku ndër më të rëndësishmet përmenden:

Të sigurohet krijimi i hapësirave dhe ambienteve të nevojshme për aktivitetet

Të rritet numri i vendeve për publikun që mund të ndjekin punimet e Kuvendit

Zbatimi i teknologjive të reja në fushën e teknologjisë së informacionit, automatizimin e godinës, eficencën energjitike

Një godine e cila do të mund të plotësojë nevojat e Kuvendit jo vetëm aktuale, por në një periudhë  afatgjatë

 “Kompleksi i ri parlamentar është parashikuar të ndërtohet mbi godinën aktuale të kryesisë së Kuvendit, pasi sipas ligjvënësve zhvillimi i aktiviteteve në dy godina krijon kosto shtesë”.

Është  ministria e Financave ajo që duhet të japë miratimin për të shpenzuar shumën  11 miliardë e 250 milion lekë që është parashikuar për këtë kompleks parlamentar.

Në qoftë se buxheti miraton fondin e kërkuar për ndërtimin e Kompleksit të Ri Parlamentar për 4 vitet e ardhshme, Kuvendi i Shqipërisë nuk do të vazhdojë me projektet e investimeve në lidhje me Rikonstruksionin e Sallës së Seancave dhe Rikonstruksionin e dyerve dhe dritareve.