Deputetët nuk respektojnë masat, Ruçi u tërheq vëmendjen! Shtyhet gjendja e fatkeqësisë natyrore

23 Prill 2020, 15:16

TIRANË- Me 91 vota pro, (5 kundër dhe 3 abstenim) mazhoranca së bashku me dakordësinë e disa deputeteve të opozitës kanë miratuar shtyrjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore me dy muaj, deri në 23 qershor 2020.

Kryetarja e grupit parlamentar demokrat, Rudina Hajdari, deputetët Ralf Gjoni dhe Myslym Murizi dolën hapur kundër këtij vendimi, me argumentin se qeveria nuk ka dhënë një shpjegim logjik për këtë vendim, e aq më tepër se shifrat nuk e justifikojnë shtyrjen me 2 muaj të gjendjes së fatkeqësisë natyrore. Në përgjigje të tyre, doli kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili si një nga arsyet kryesore se përse shtyrja e kësaj gjendjeje është domosdoshmëri theksoi mosndërprerjen e operacionit humanitar për familjet në nevojë, e ndërsa në vëmendje solli rastin e deputetit Adriatik Alimadhi, i cili u infektua me COVID-19. "Kur të keni mundësi bëjini një telefon kolegut Adriatik Alimadhi. Pyeteni si është të kalosh COVID-19 dhe pastaj hajde na shisni dëngla këtu. Është një situatë e vështirë, një gjendje e vështirë", tha mes të tjerave Balla.