TIRANE-Kryeministri Edi Rama ka gati depozitimin e amendamenteve për ndryshimin e ligjit të dekriminalizimit që ka synim forcimin e masave pas rastit të Valdrin Pjetrit, që fitoi bashkinë e Shkodrës, por u dorëhoq pas zbulimit të dënimit në Itali. Kryetari i grupit demokrat Taulant Balla u shpreh se propozimet e kryeministrit do të dorëzohen në komisionin e reformës zgjedhore me qëllim shtrëngimin e ligjit për të gjithë kandidatët. Por kryetarja e grupit parlamentar demokrat Rudina Hajdari akuzoi se fajin nuk e ka ligji, por PS-ja, që vendosi Valdrin Pjetrin.
Ndërkohë që kryetari i kuvendit Gramoz Ruçi i shtriu dorën opozitës jashtë institucioneve, PD-LSI për miratimin e reformës zgjedhore dhe i ktheu një përgjigje indirekte Ilir Metës duke thënë se parlamenti është legjitim dhe plotësisht funksional. Gjatë seancës së parë plenare nuk munguan edhe debatet Ballistë-Partizanë, ndërsa puna pritet që të nisë me rrëzimin e ligjeve të vjetra, që janë kthyer nga Meta . Konferenca e Kryetarëve e mbledhur paradite përcaktoi axhendën e Kuvendit deri në datën 19 shtator. Në 12 shtator pritet të rrëzohen 4 dekrete të Metës, teksa që nesër do të nisë shqyrtimi formal në komisionet parlamentare. Ndërsa në seancën e datës 19 shtator Kuvendi do të votojë 5 ligje të tjera të kthyera pas nga presidenti Ilir Meta. Këtë sesion parlamentar janë parashikuar për miratim shumë ligje nga shumica socialiste.