Deputetja e PS dhe zv/ministri me plagjiaturë? Boçi: Dy kopjacë dhe hajdutë intelektualë

16 Tetor 2018, 14:43

Partia Demokratike i referohet denoncimit të studiuesit Taulant Mukës, lidhur me akuzat për plagjiaturën e deputetes socialiste Blerina Gjylameti dhe të zv/ministrit të Arsimit Ervin Demo. Në një deklaratë për mediat, deputeti demokrat Luçiano Boçi u shpreh se mMinistria e Arsimit ka heshtu për këtë skandal, në vend që të merrte masa. 

Në Shqipërinë e Edi Ramës, Blerina Gjylameti u jep leksione universitarëve, kurse Ervin Demo ngarkohet të kryejë reformën e arsimit të lartë. Këta dy kopjacë dhe hajdutë intelektualë, synojnë ta kalojnë me heshtje vjedhjen prej xhepistësh që kanë kryer në artikullin e tyre shkencor, sipas shembullit të narkotrafikantëve, që vijojnë punën e tyre, sa kohë interesi i tyre, është edhe interesi i Edi Ramës?

Luçiano Boçi, deputet i PD

Deklarata e plotë:

Prej disa ditësh, është bërë i njohur denoncimi publik dhe me fakte i një studiuesi të njohur dhe kërkuesi shkencor, mjekut Taulant Muka, lidhur me një botim-plagjiaturë që mban nënshkrimet e deputetes socialiste Blerina Gjylameti dhe të zëvendësministrit të Arsimit Ervin Demo. 

Nga faktet publike, artikulli shkencor me titull “Universitetet dhe transferimi i teknologjisë”, botuar në vitin 2011, rezulton se në të vërtetë nuk është punë origjinale e tyre. Ata kanë përvetësuar idetë dhe punën e të tjerëve, pa cituar burimin origjinal, duke shkelur të drejtat e autorëve dhe produktet e tyre intelektuale. Ministria e Arsimit, e cila është ftuar publikisht të deklarohet lidhur me denoncimin, ka heshtur, duke refuzuar t’u përgjigjet pyetjeve publike të vetë studiuesit Muka, por edhe interesimit të mediave dhe opinionit publik intelektual.