Derbi i kryeqytetit shkon për Partizanin, 'Demat e Kuq' mundin 1:0 Tiranën

28 Shtator 2018, 22:29 | Përditesimi: 28 Shtator 2018, 22:29

Derbi më i zjarrtë në vend ai i kryeqytetit, Trana-Partizani, i rikthyer pas dy vitesh, shkon për "Demat e Kuq". Të kuqtë vijojnë me serinë e fitoreve në derbi, teksa mposhtën me rezultatin minimal 1-0 Tiranën në “Selman Stërmasi”. Ky ishte derbi i 150 në historinë mes tyre, ndërsa të kuqtë arritën suksesin e 14 radhazi. As Ze Maria nuk ia doli të rikthejë bardheblutë te suksesi, ku fitorja në derbi mungon që nga viti 2014. Ndeshja ishte mjaft e bukur me raste nga të dyja skuadrat, ndërsa emocionet më të mëdha i dhuruan tifozët, të cilët me koreografitë e tyre e fituan ndeshjen në shkallët e stadiumit. Goli vjen në minutën e 21 kur mesfushori Mala shfrytëzon në mënyrë prefekte krosin e Asanit nga e dajthta.Në këto minuta të kuqtë luajnë më mirë dhe Trashi është ai që provon sërish pas një goditjeje këndi (26’). Tirana ka një mundësi të mirë për të barazuar ndeshjen me anë të kapitenit Asion Daja, por mesfushori gjen në gatishmëri portierin Hoxha pas një aksioni të shpejtë në krahun e djathtë (30’). 4’ minuta më vonë është sërish Tirana që rrezikon, por Hoxha del në kohë dhe grushton krosin e Dajës. Pavarësisht disa aksioneve të rrezikshme, pjesa e parë u mbyll me avantazhin minimal të Partizanit. 

Pjesa e dytë nisi me Tiranën në sulm që rrezikoi pas një sulmi të shpejtë në krah, me Blazhevskin që hedh një top drejt zonës, por Hoxha pret pa problem (47’). Partizani reagon me Asanin, i cili në një minutë tenton dy herën portën e Likës, por portieri pret pa vështirësi me të kuqtë që shpërdoruan. Tirana është më kërkuese në këto minuta, por mungojnë rastet e rrezikshme. Në të 66’ Hila i afrohet golit pas një topi të kthyer në zonë gjatë një krosimit të Malës, por mesfushori nuk ka shënjestrën e duhur dhe sfera përfundon jashtë.Bardheblutë luajnë me dy sulmues, por Partizani mbrohet mirë dhe nuk lë hapësira. Ze Maria i luan të gjitha kartat, por asnjë prej tyre nuk jep reagimin që braziliani priste. Pavarësisht disa aksioneve të rrezikshme në fund ndeshja u mbyll me fitoren e “Demave të Kuq”, që po tregojnë një rritje në çdo ndeshje. 

Me këtë fitore Partizani merr vendin e parë në kampionat me 13 pikë, ndërsa Tirana mbetet në vendin e shtatë me vetëm 5 pikë pas 6 ndeshjeve të luajtura. 

b.ha./Shqiptarja.com