Dëshmia e aktivistit: E kam parë pallatin super luksoz të Putinit, nga brenda

25 Janar 2021, 11:54

Në një video të re në Youtube, kritiku i Kremlinit, Aleksej Navalny tregon rezidencën madhështore të presidentit rus, Vladimir Putin. DW bisedoi me aktivistin Dmitrij Shevtshenko, që e vëzhgon këtë rezidencë prej vitesh.

Filmi i ri i fondacionit Aleksej Navalyni Kundër Korrupsionit, FBK në Rusi ka shkaktuar vale reagimesh në Youtube. Vetëm brenda pak ditësh klipi është klikuar më shumë se 40 milionë herë. Përmbajtja është shpërthyese: Nën titullin "Një pallat për Putinin. Historia e korrupsionit më të madh”, ky film tregon për dy orë hollësi nga një rezidencë madhështore në brigjet ruse të Detit të Zi. Sipas hulumtimeve, vetëm ndërtesa përfshin një sipërfaqe prej 18.000 metër kuadrat. Kurse hapësira përreth është 40 herë më e madhe, aq as principata e Monakos. 100 miliardë rubla, rreth 1,12 miliardë euro me gjasë ka kushtuar kjo rezidencë. Sipas FBK "pallati” financohet nga koncerni shtetëror rus, Rosneft dhe Transneft. Të dyja koncernet drejtohen nga miqtë e Putinit, Igor Setçin dhe Nikoal Tokarjev.

Prej vitesh aktivistët mjedisorë e vëzhgojnë këtë objekt. Disa madje kanë arritur të hyjnë në hapësirat e brendshme dhe të bëjnë foto. Njëri prej këtyre aktivistëve është Dmitri Shevtshenko, drejtues i organizatës jokomerciale ruse, "Civic Initiative Against Environmental Crime" (CIAEC). DW ka biseduar me të.

Deutsche Welle: Zoti Shevtshenko, çfarë mësuat të re nga hulumtimet e publikuara nga Navalny?

Dmitrij Shevtshenko: E re është për mua, që aty janë ndërtuar holle nëntokësore të sporteve dimërore. Ndryshe investigimet nuk sjellin gjë të re. Por ato janë përpjekja e parë që i sistematizojnë të gjitha informacionet që gjenden për këtë projekt ndërtimi. Kolegët duhen lëvduar që kanë zbuluar të gjithë zinxhirët e financimit që kryqëzohen me njëri-tjetrin.

Ju keni qenë në vitin 2011 në këtë kantier ndërtimi, si u krijua kjo mundësi?

Ne e ndiqnim këtë gjë që nga viti 2004, kur u bënë publike planet e ndërtimit në Kepin Idokopas. Na zemëroi shumë kjo, sepse aty kishte pyje të paprekur të drurëve halorë Pitsunda, që në Rusi ndodhen në mbrojtje të veçantë. Ishte e qartë që do kishte prerje pyjesh. Pas disa zbulimeve të një biznesmeni, Sergej Kolesnikic në vitin 2010 doli, se aty po ndërtohej për presidentin rus, dhe ne donim ta shihnim më nga afër këtë.

Pse u nisët tek sheshi i ndërtimit të "Pallatit të Putinit"?