Dëshmia, e rrahën në sy të gruas, ja si 'kërciti' pistoleta në qytetin e Kavajës

9 Korrik 2019, 13:28

Gjykata e Kavajës ka pranuar kërkesën e prokurorisë, duke lënë në burg katër, nga pesë të arrestuarit, për shkëmbimin e zjarrit, ku mbeti i vdekur një kalimtar i rastësishëm, ndërsa njëri nga të arrestuarit u lirua nga qelia dhe do të hetohet në masën “arrest në shtëpi”. Në burg u lanë Ardian Dedej, Eraldo Hyka, Marjus Aliu dhe Qazim Merkaj, me akuzën e vrasjes me paramendim, e kryer në bashkëpunim, e ngelur në tentativë dhe prodhim e mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake. Ndërsa Agron Kollçaku do të hetohet në masën e sigurisë arrest shtëpie, pasi akuzohet vetëm për moskallëzim krimi. Seanca e djeshme nisi me vonesë për shkak të vonesës së një prej të pandehurve, Eraldo Hyka, nga spitali drejt Gjykatës. Ky i fundit nuk ishte në gjykatë për shkak të gjendjes shëndetësore, pasi u plagos ditën e enjte nga shkëmbimi i zjarrit. Gjyqtarja që dha vendimin ishte Djamela Goxha, ndërsa prokuror Gëzim Çopa.

Ja dosja e plotë si ndodhi krimi

Në datën 4 korrik 2019, ora 12:15, është njoftuar Salla Operative Kavajë nga një person, për një sherr në lagjen nr.5 Kavajë. Menjëherë në vendngjarje ka shkuar një patrullë policie, e cila ka konstatuar që në rrugën Fose, në afërsi të furrës së bukës së shtetasit Fatos Gjuzi, ndodhej një person i shtrirë, i dyshuar si i vrarë me armë zjarri. Menjëherë në vendngjarje u dërguan shërbime të tjera të specializuara me qëllim sqarimin e rrethanave dhe kryerjen e veprimeve proceduriale. Ka rezultuar se më 3 korrik 2019, Adrian Dedej dhe Eraldo Hyka kanë pasur një konflikt në qendër të qytetit të Kavajës me Denis Aliun. Sipas dëshmitarëve okularë, gjatë debatit, Denis Aliu ka qëlluar me shpullë Adrian Dedejn. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se, pas këtij sherri të momentit, Denis Aliu ka kërkuar të takojë Adrian Dedejn, për të sqaruar më tej çështjen, por ky i fundit nuk ka pranuar ta takojë. Si ndërmjetës, për të sqaruar më tej çështjen, ka ndërhyrë Agron Kollçaku, por palët nuk kanë qenë dakord. Më 4 korrik 2019, Roland Demrozi, i cili është në lidhje shoqërore me Adrian Dedejn, ka parë në afërsi të market “Legeja”, në lagjen nr. 1 Kavajë, Denis Aliun, i cili ka zbritur nga makina e tij për t’u futur në market. Duke qenë në dijeni të problemit, Roland Demrozi ka telefonuar Adrianin, duke i treguar për vendndodhjen e Denisit. Njëkohësisht, Eraldo Hyka ka qenë duke lëvizur me makinën e tij tip “Golf 4”, në afërsi të marketit, së bashku me Qazim Merken. Ata kanë parë makinën e Denisit dhe kanë zbritur për t’u sqaruar me të. Pas një debati, ata e kanë dhunuar fizikisht Denisin dhe më pas janë larguar, së bashku me shtetasin Roland Demrozi, në drejtim të lokalit të Adrian Dedejt, ku dhe më pas ka ndodhur ngjarja.