Dështon Juventusi, Porto e nxjerr nga Champions! Dortmundi në çerekefinale

10 Mars 2021, 10:31

Fitorja 3-2 ndaj Portos pas kohëve shtesë nuk i mjaftoi Juventusit që i thotë lamtumirë Champions League që në fazën e 1/8 ashtu si sezonin e kaluar. Luzitanët kishin fituar 2-1 ndeshjen e parë dhe u kualifikuan për në çerekfinalet e Champions League falë golave në fushën kundërshtare. Në pjesën e parë portugezët ishin më mirë dhe kaluan në avantazh me Sergio Oliviera.

Me fillimin e 45 minutave të dyta barazoi shifrat për Juventusin Chiesa dhe më pas Porto ngelet me një lojtar më pak gjë që ndihmon skuadrën e Pirlos. Federico Chiesa shënon sërish këtë herë me kokë dhe koha e rregullt mbyllet 2-1. Në shtesë është sërish Sergio Oliviera ai që shokon bardhezinjtë duke shënuar nga goditja e dënimit dhe barazon rezultatin.

Adrien Rabiot shënon golin e fitores por që nuk mjafton. Juventusi dështon sërish në Champions League.

Përveç Portos çerekfinalet e Champions i siguroi edhe Borussia Dortmund që eliminoi Sevillan. Gjermanët e kishin fituar 3-2 ndeshjen e parë dhe mbrëmë u mjaftoi barazimi 2-2. Të dy golat i shënoi Haaland që arriti një rekord prej 20 golash në 14 ndeshje në Champions. Spanjollët arritën të barazonin falë dygolëshit të En Nesyri por vetëm kaq./Përgatiti Andi Kapxhiu