Detaje ekskluzive nga vrasja e presidentit të vetëshpallur të Çamërisë në Holandë, kush e futi në kurth

26 Korrik 2019, 15:32

Sadrie Kasimi, një grua që ka bashkëpunuar për 5 vite me presidentin e vetëshpallur të Republikës çame, që u gjet i vrarë më 20 korrik nga policia holandeze, zbulon ekskluzivisht për Report Tv detaje nga ky krim i rëndë. Teksa ka dalë në aeroportin e Rinasit të presë trupin e pajetë të 44-vjeçarit vlonjat që mbërrin në atdhe, Kasimi tha për gazetaren Xhensila Kodra, se ishte një bashkëpunëtor holandez i Latos që e futi atë në kurth. Ajo nuk bën të ditur emrin e tij por thotë se këto informacione i ka mësuar nga të njohur të saj në Holandë dhe vetë kryeministri i vetëshpallur i republikës çame, Ali Aliu.

"E morën, e gënjyen me metodën e tyre që do shiste makinën, dhe e morën e vranë. ishte një djalë holandez që ka marrë pjesë në republikën e Çamërisë dhe ka ardhur 4 herë në Vlorë nga Holanda. Festim Lato ishte me dy njerëz të tij në makinë, e ka thirrur ky djalë i ka thënë do vish se jam me dy njerëz do e shesësh makinën, do vish në kafe? Ai i la të gjitha në makinë, me telefonë dhe ata e morën e vranë. Vec të mira i ka bërë popullit çam, na ka ndihmuar në çdo prizëm, na ka ardhur shumë keq, sikur më ka vdekur djali im, jo një president. Nuk e di si e mashtruan.  Të njëjtën gjë na tha edhe kryeministri i republikës Came, Ali Aliu na e sqaroi gjendjen. Në familjen e tyre ka rënë bombë e madhe. E kemi pritur këtë vrasje sikur ka vrarë të gjithë çamët. I lutem Ministrit të Punëve të Jashtme të mos e mohojë Çamërinë. Ne nuk do rrimë rehat tani që na bënë edhe këtë vrasje. Kush e vuri atë njeri që e vranë, dhe në fund t'i fusin thikën ashtu dhe ta lëshojnë rrugëve, është çudi e madhe", u shpreh bashkëpunëtorja e Latos për çështjen çame, Sadrie Kasimi.

    No videos found.