Pavarësisht nga strategjia e shlyerjes së detyrimeve të prapambetura, përcaktuar në VKM “Për miratimin e Strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e të planit të veprimit”, qeveria vijon të krijojë detyrime të reja si rezultat i pagesave të vonuara. Në total, sipas statistikave të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, shifra që shteti u detyrohet privatëve ka arritur në 4.2 miliardë lekë, afërsisht 33.3 milionë euro borxhe.
Ja si qendron situata e detyrimeve sipas institucioneve.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë raporton se detyrimet e krijuara për periudhën nga 1 janar 2018 – 31 mars 2018 janë në vlerën 535.2 milionë lekë si 3-mujor, por kanë arritur në një total prej 1.46 miliardë lekësh, kryesisht referuar detyrimeve të Autoritetit Rrugor dhe Ujësjellës Kanalizimeve. Kështu, sipas sektorëve, janë krijuar këto borxhe: Mirëmbajtje rrugore – 305.1 milion lekë borxhe të reja (883.1 milionë lekë progresiv); Studim dhe Projektim – 55.7 milionë lekë gjithsej; Vendime Gjyqësore – 194.7 milionë lekë (304.7 milionë lekë progresiv); Detyrime të ndërmarrjeve Ujësjellës-Kanalizime – 27.7 milionë lekë (201.3 milionë lekë progresiv). MIE në 3-mujorin e parë të 2018-ës ka paguar 499.7 milionë lekë detyrime të trashëguara për kontratat e mirëmbajtjes së rrugeve.
Ministria e Mbrojtjes, nga ana e saj, raporton 302.8 milionë lekë detyrime të akumuluara. Ndërkohë, kjo ministri referon se nuk ka detyrime të krijuara për 3-mujorin 2018, por, si pasojë e ristrukturimit të qeverisë, trashëgoi detyrimet e programeve “Rezervat e Shtetit” dhe “Emergjencat Civile” nga Ministria e Brendshme.
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë raporton që detyrimet e krijuara për periudhën Janar 2017 – Mars 2018 janë në vlerën 23.4 milionë lekë. Në total, MASR ka 101.1 milionë lekë detyrime të akumuluara.