Detyrimet e prapambetura të bashkive arrijnë në 54 milionë euro

8 Nëntor 2019, 12:45

TIRANE - Pavarësisht nga masat e marra deri tani, shumica e bashkive të vendit kanë rritur detyrimet e papaguara ndaj të tretëve edhe në tremujorin e tretë. Sipas statistikave të ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, këto detyrime janë rritur rreth 3.3 milionë euro në tre muaj.

Stoku i detyrimeve të prapambetura në fund të muajit shtator 2019, i cili parashikohet të shlyhet në një periudhë afatmesme, bazuar në planin e shlyerjes të dërguar nga të gjitha bashkitë, është rreth 6.6 miliardë lekë. Vlera neto e stokut të detyrimeve të prapambetura është rritur me rreth 400 milionë lekë, krahasuar me vlerën e detyrimeve të raportuar në tremujorin e dytë të vitit 2019, por është ulur me rreth 100 milionë lekë krahasuar me stokun e detyrimit në fund të vitit 2018.

Me një veprim jo të zakonshëm,  Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka paralajmëruar bashkitë që kanë krijuar më shumë detyrime se do t’i propozojë Këshillit të Ministrave të caktojë administratorë nga pushteti qendror për të menaxhuar buxhetet e tyre me qëllimin e uljes së borxheve të prapambetura. Ky paralajmërim është bërë në një Udhëzim të datës 27 shtator nga ministrja e Financave Anila Denaj, dërguar 61 bashkive. Sipas Udhëzimit, në muajin dhjetor do të ngrihet një grup pune, që duhet të konstatojë bashkitë me më shumë probleme financiare, i cili në fund të vitit do të përgatitë raportin zyrtar, në bazë të të cilit do të veprojë qeveria. Kështu, bashkitë do të kenë afat deri në fund të vitit të rregullojnë situatën e tyre financiar, ose do t’i nënshtrohen administrimit nga qeveria.

Bashkitë me detyrimin më të madh janë aktualisht Tirana (1.6 miliardë lekë), Kavaja (420 milionë), Pogradeci (389 milionë), Kamza (341 milionë), etj.