Dezertimet, ja çfarë fshihet pas largimeve nga LSI drejt PS, Braimllari: Ikjet skenar i Ramës

23 Mars 2018, 11:13

Që nga fundi i vitit 2017, në mënyrë të organizuar dhe masive, grupe këshilltarësh të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në bashki të ndryshme të vendit, po i bashkohen në bllok Partisë Socialiste. Lëvizjet e para përkojnë me afrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim me Partinë Demokratike, por kalimi i këshilltarëve nga LSI tek PS është intensifikuar ditët e fundit, pa ndonjë shkak të dukshëm, duke trazuar arenën politike. Pothuajse çdo ditë, një grup i ri këshilltarësh të LSI, lexon një letër publikisht dhe deklaron kalimin tek PS.

Motivet e shpallura nga këshilltarët për të justifikuar largimin vijojnë që nga lidhjet e PD me rusët, çizmja e kryetares së LSI, Monika Kryemadhi, pozicionin e LSI kundër reformës në drejtësi etj. Përfaqësues të Partisë Socialiste konfirmojnë argumentet e shprehura nga vetë këshilltarët si arsye reale për largimin e tyre nga Lëvizja Socialiste për Integrim dhe bashkimin e PS. Ndërkaq, përfaqësues të LSI pretendojnë se largimet janë një skenar i përgatitur nga Partia, Socialiste për zhvendosjen e vëmendjes nga keqqeverisja, pasi sipas LSI largimet kanë ndodhur më parë dhe se nuk qëndron argumenti i lobimit rus.