‘Dezertimet'/ Largohet nga drejtësia gjyqtari që shpëtoi Bashën nga burgu

11 Korrik 2019, 11:23

Ka shkuar në katër numri i ish-anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilët ka vendosur të braktisin sistemin e drejtësisë, duke evituar kalimin në skanerin e trefishtë të Vetingut, për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Aleksandër Muskaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë deri në korrik të vitit 2017, nuk ka pranuar të shërbejë në Gjykatën e Apelit, duke u larguar nga sistemi i drejtësisë. Muskaj është emëruar në Gjykatën e Lartë në datë 08.07.2008, nga Partia Demokratike në Parlament. Në datën 10.04.2009, Aleksandër Muskaj ishte pjesë e Kolegjit Penal pranë Gjykatës së Lartë, i cili shpëtoi Lulzim Bashën nga ndëshkimi për skandalin me Rrugën Durrës Kukës, ku u shpërdoruan rreth 230 milionë euro.

Kolegji Penal që shpëtoi Bashën me procedurë kryesohej nga Spiro Spiro, ndërsa pjesë e tij ishin Perikli Zaharia, Irma Bala, Besnik Imeraj dhe Aleksandër Muskaj. Që të pestë gjyqtarët kanë firmosur pushimin e çështjes në ngarkim të Lulzim Bashës, në cilësinë e personit nën hetim si ish-ministër i Transporteve. Asnjë nga pesë gjyqtarët sot nuk shërbejnë në drejtësi. Besnik Imeraj u emërua më pas nga PD në mars të 2013 në Gjykatën Kushtetuese, por u largua nga kjo gjykatë në 31 janar 2018, duke evituar Vetingun. Ai mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvendësohej, por nëse qëndronte duhet të kalonte në skenarin e Vetingut. Pas largimit, KPK ndërpreu procesin e Vetingut ndaj Imerajt, i cili për 15 vjet nuk mund të emërohet në sistem.

Largimi 
Në datën 31.07.2017, Aleksandër Muskaj, fillimisht ka dorëzuar detyrën e gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, ndonëse sipas ligjit mund të qëndronte në detyrë deri kur të zëvendësohej. Ndërkaq, në datën 16.11.2018, ka depozituar në ish-Këshillin e Lartë të Drejtësisë kërkesën për heqjen dorë nga statusi i magjistratit, pra për t’u larguar nga sistemi. Por, Kushtetuta dhe ligji parashikojnë që gjyqtarët e Gjykatës së Lartë që iu mbaron mandati gëzojnë të drejtën për t’u caktuar në pozicionin e parë që publikohet i lirë në nivel Apeli.

Nisur nga ky parashikim ligjor, Këshilli i Lartë Gjyqësor i është drejtuar me shkrim subjektit të rivlerësimit, z. Aleksandër Muskaj, ish-gjyqtar i Gjykatës së Lartë për realizimin e të drejtës së caktimit në një pozicion në nivel gjykate apeli sipas parashikimeve ligjore. Në përgjigje të kësaj shkrese, Aleksandër Muskaj, ka protokolluar në Këshillin e Lartë Gjyqësor, heqjen dorë nga statusi i magjistratit. Në vijim, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka vendosur të deklarojë mbarimin e statusit të magjistratit për z. Aleksandër Muskaj, ish-gjyqtar i Gjykatës së Lartë.