Dhanë eksperiencën për COVID-in, largohen mjekët italianë: Shqiptarët i ka kapur një qetësi false!

13 Gusht 2020, 13:46

TIRANË- Shqiptarët i ka kapur një qetësi false, do të shpreheshin kështu mjekët italianë në një intervistë ekskluzive për Report Tv.  Gjatë 2 javëve të fundit, grupi i mjekëve prej 7 personash kanë vizituar spitale të shumta në të gjithë vendin, për të ofruar eksperiencën dhe këshillat e tyre në luftën kundër COVID-19.

"Sa i përket situatës në Shqipëri, sipas këndvështrimit tonë është një situatë qetësie false. E themi këtë sepse në saj të vëzhgimeve tona, shumë njerëz, jashtëzakonisht shumë njerëz, lëvizin përreth nëpër qytet, sidomos në Tiranë  pa maska, pa e kuptuar se rreziku i të infektuarit është ende shumë i lartë. Është një pandemi globale e cila po godet të paktën 200 shtete të tjera në botë. Në Shqipëri numri i të infektuarve akoma konsiderohet i ulët, por duke marrë në konsideratë numrin e popullsisë këtu do të thoja se ne gjendemi përpara një situate e cila duhet trajtuar me shumë seriozitet nga ana e popullit shqiptar", tha mjeku Gianpiero D’Offizi.Praninë e tyre e shihnin si një mundësi për të ndihmuar palën shqiptare të shmangte gabimet e njëjta dhe t’u ofronin kolegëve shqiptarë një model të përshtatshëm për luftimin e pandemisë.

"Në përfundim të fazën akute në Itali, ne u ndiem të detyruar të pranojmë kërkesën për të ardhur në Shqipëri, për t'u sjellë mjekëve dhe infermierëve të vendit tuaj eksperiencën  tonë. Sepse  sigurisht edhe ne në fazat tona fillestare kemi bërë shumë gabime në vlerësime, por kjo për faktin së sëmundja nuk ishte e njohur, ishte diçka totalisht e re që na goditi. Me prezencën tonë këtu, ne donim të sillnim eksperiencën tonë, në mënyrë që i gjithë procesi i vlerësimit dhe kurimit,  organizimit në spitale, i përgatitjeve specifike për mjek dhe infermier të jetë sa më i shpejtë, pa u dashur të shpikin apo krijojnë metoda të cilat ne i kemi provuar tashmë", tha ai.