Dhjetëra makina të bukura Retro 'zbarkojnë' te kryeministria

24 Prill 2019, 11:57 | Përditesimi i fundit: 2019-04-24 14:28:57

Kryeministria sot ka marrë një pamje krejtësisht tjetër. Nuk po flasim për rikonstruktim të saj, apo për ndonjë instalacion të ri që mund të ketë zgjedhur nga kreu i qeverisë, Edi Rama, por sot si asnjëherë tjetër është e rrethuar nga dhjetëra makina të bukura retro. Një rikthim pas në kohë, që të kujton Shqipërinë e vjetër, epokat historike...Brenda pak minutash ose orësh, aq sa mund të zgjasë ai qëndrim, të bën të ndihesh plotësisht banor i asaj periudhe.

Kjo nismë është ndërmarrë nga Blendi Gonxhja, Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në një prononcim për Report Tv, Gonxhja tha se kjo nismë shërben për të nxjerrë nga 'pluhuri' këtë sektor, i cili sipas tij ka një potencial të madh ekonomik, turistik, por edhe historik.

"Tirana dhe Kryeministria është sot një qytet normal që i përket të gjithëve, që brenda gjithë jetës së saj, ka dhe botën e koleksionistëve. Sot në një takim historik mbledhur pranë kryeministrisë, ky sektor nuk i ka pasur të drejtat që duhet. Për të shprehur këtë potencial historik, ekonomik formalizohet në draft akte ligjore. Ta nxjerrim këtë sektor nga pluhuri dhe t'i japim këtë zyrtarizim dhe t'i japim atë vëmendje që meriton", tha Gonxhja.