Dhuna mes protestuesve, Hodaj: Opozita strategji të qartë për përplasje, përdorimi i fëmijëve tipike e organizatave kriminale

3 Qershor 2019, 14:17

Zëvendës ministri i Brendshëm, Julian Hodaj i ftuar në studion e lajmeve të Report Tv, ka komentuar dhunën që shpërtheu në protestën e opozitës.

Hodaj ka komentuar edhe për dy personat, babë e birë të cilët u dhunuan me mjete të forta nga protestues të tjerë gjatë protestës, duke thënë se edhe në protesta të tjera ka patur konfliktime të tilla mes protestuesve.

"Nuk është hera e parë që goditen me njëri tjetrin. Ka patur raste ku kanë kërcënuar edhe gazetarë. I plagosuri me fishekzjarr është pak a shumë atë që kërkon opozita. në kërkim të një kauze, të një viktime për tu kapur. Nga 16 shkurti mbështetësi po firojnë. Edhe vetë populli opozitar që i ka përkrahur po i braktis. Kjo është protestë partiake. Dhe ata duhet të marrin përgjegjësi me atë që ndodh me përplasjet. Ka një strategji të qartë për përplasje. Kur opozita ka vendosur të jetë paqësore nuk kemi parë dhunë vetëm në raste kur ashpërsohen tonet. Përdorimi i fëmijëve është tipike e organizatave kriminale. Kjo pasi të miturit janë një pjesë e paprekshme nga ligji dhe pjesa tjetër. Sot kemi 42 të arrestuar dhe shumë të tjerë të shoqëruar. Kjo është punë e policisë.  Policia bën një punë parandaluese dhe merr informacione se si do zhvillohet turma. Është e vështirë për të kontrolluar të gjithë. Puna e shufrave tregon drejtimin që i jepet protestës nga ata që e organizojnë. duke u pajisur me mjete piroteknike dhe shufra. Është ajo propagandë e bërë më parë." ka thënë Hodaj ndër të tjera.