Dhuna në Kategorinë e Parë, Disiplina dënime me ‘dorë të hekurt’ për Besën dhe lojtarët e Shënkollit

18 Prill 2019, 14:49

Komisioni i Disiplinës në FSHF ka dënuar me dorë të hekurt ekipin e Besës për dhunën e shkaktuar nga tifozët në ndeshjen me Bylisin, që solli më pas edhe ndërprerjen e sfidës. Për shkak të goditjes së arbitrave, Besa është dënuar me humbjen 3-0 në tavolinë, ndërsa 8 ndeshjet e radhës në stadiumin e tyre do të jenë të detyruar të luajnë pa tifozë.

Paq nuk ia ka hedhur as zyrtari i klubit Emiliano Bizhdili, i cili për sjellje jo sportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes është dënuar me 8 ndeshje pezullim nga aktiviteti. Me humbjen e ndeshjes në tavolinë shpresat e Besës për t’u ngjitur në Superligë minimizohen ndjeshëm, pasi diferenca me Bylisin e vendit të parë shkon në 10 pikë.

Dënime të rënda ka patur edhe për dy futbollistë të ekipit të Shënkollit që në ndeshjen e fundjavës kundër Veleçikut ushtruan dhunë ndaj kundërshtarëve dhe jo vetëm. Emirjon Mirdita është dënuar me 8 ndeshje pezullim për veprimin antisportiv ndaj kundërshtarit, të cilin e hodhi në fushë me një lëvizje që do ta kishin zili edhe në artet marciale.

Akoma më rëndë e ka pësuar Klaudjo Pjetrushi, futbollisti i Shënkollit I cili gjatë sherrit ka goditur zyrtar të ekipit të Veleçikut dhe si rrjedhojë është pezulluar me 10 ndeshje nga aktiviteti. 

Kjo javë e futbolit në vend është shoqëruar edhe me shumë parregullsi të tjera, kryesisht në kampionatet inferiore të cilat janë pasqyruar edhe në vendimet e displinës.