Dhuna në Kuvend, përjashtohen 6 deputetët e opozitës dhe ministri Bushati

12 Prill 2018, 21:00

Byroja e Kuvendit ka vendosur që të përjashtojë për 10 ditë nga punimet 6 deputetët e opozitës dhe ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati për dhunën sot në seancën plenare. Pas debateve të forta në mbledhje, vendimi u mor vetëm me votat e deputetëve të shumicës. Dy deputetët e opozitës që morën pjesën në votim, Paloka dhe Mima votuan në bllok kundër vendimit për përjashtimet, përfshirë edhe ministrin Bushati, pasi kërkojnë që i pari të përjashtohet Rama për gjuhën sipas tyre ofenduese ndaj qytetarëve.

Deputetët e opozitës që u përjashtuan për 10 ditë janë Edi Paloka, Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Ervin Salianji nga Partia Demokratike dhe Braimllarit e Mehmetajt nga LSI. Deputetët e opozitës hodhën miell, vezë dhe letra në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe ministrave në seancën e sotme.

Gjithashtu deputetët e LSI mbanin pankarta ofenduese ndaj Ramës. Ndërkohë që ministri Bushati u përjashtua, pasi pas sulmit të opozitës reagoi duke hedhur ujë në drejtim të deputetëve demokratë dhe të LSI. Edhe pse kërkoi falje, kryetari i Kuvendit Ruçi kërkoi përjashtimin e tij nga punimet e Kuvendit për 10 ditë dhe kërkesa u miratua në Byro pasditen e sotme. Në mbledhjen Byrosë nuk ishin të pranishëm deputetja Kejdi Mehmetaj dhe ministri Ditmir Bushati. 

Në datë 17 prill Komisioni Europian do të vendosë nëse do të rekomandojë hapjen e negociatave për Shqipërinë, ndërsa sot u përjashtua ministri për Europën dhe Punët e Jashtme për sjelljen në Kuvend. Pas mbledhjes së Byrosë së Kuvendit, Flamur Noka u shpreh se miellin e solli nga Kukësi, ndërsa Salianji dhe Braimllari paralajmëruan se protestat do të vijojnë. Përfaqësuesi i shumicës Ervin Bushati kërkoi që prokuroria të fillojë ndjekjen penale ndaj Nokës, pasi goditi ministrat me mikrofon dhe sende të tjera të forta.

    No videos found.