Dhunohen dhe u merren paratë dy sirianëve në Korçë! Arrestohen 4 autorët

21 Janar 2020, 14:18

KORÇË - Grabitësit në Korçë nuk kanë kursyer as refugjatët. Gjatë ditës se sotme 4 persona kanë dhunuar dhe më pas grabitur dy refugjatësh nga Siria. Burime për Report Tv bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në lagjen nr.8 të qytetit ndërsa policia ka vënë në pranga edhe 4 autorët e kësaj ngjarje të rëndë. Të arrestuarit janë M. R., 19 vjeç, banues në Korçë, K. D., 20 vjeç, banues në fshatin Vithkuq, Korçë, A. G., 19 vjeç, banues në fshatin Vithkuq, Korçë, dhe K. I., 19 vjeç, banues në Korçë.

Sipas policisë këta persona janë autorë edhe të 2 vjedhjeve të tjera me dhunë ndaj të huajve . Të arrestuari u kishin premtuar kundrejt fitimit transportimin drejt Tiranës dy sirianëve, por më pas i kishin kanosur këta të fundit dhe pasi i kishin dhunuar fizikisht iu kishin vjedhur 3 aparate celulari, 350 euro, si edhe çantat e tyre personale.

Në vijim të hetimeve të kryera nga ana e specialistëve për Hetimin e Krimit, dyshohet se të arrestuarit e mësipërm, janë autorë të dyshuar edhe të dy ngjarjeve të tjera të ndodhura në qytetin e Korçës, gjatë muajit dhjetor, ku kanë vjedhur me dhunë 4 të huaj, të cilëve iu kanë marrë 4 aparate celulare dhe shumën prej 440 euro.