Dhunohen varret në Berat, vidhen kupat e bronzit! Roja: Janë të droguar, thyejnë fotografitë

17 Prill 2021, 18:13

#reportTV #lajmeshqip #lajme BERAT- Thyerje të fotografive prej porcelani, grabitje e vazove të ndriçimit të bronzit dhe dëmtime të llojeve të ndryshmi deri në shkatërrim të plotë të varreve është panorama në varrezat e Suelasit të qytetit të Beratit Roja i varrezave, Polizoi Tavanxhiu tregon se ka parë se dhunuesit shpesh janë persona të droguar që i marrin zbukurimet metalike dhe kupat prej bronzi, duke i çuar në pikat e mbledhjes së hekurave. “Edhe tek varri i babait tim kanë marrë, edhe tek të gjithë. Edhe atje matanë kanë thyer varrin, kanë marrë fenerët. I kanë marrë të tëra”, tha Tavanxhiu. Sipas rojes, ky fenomen ka ndodhur që prej 12 marsit të vitit 2021, ndërsa i drejton edhe një apel autoriteteve shtetërore të ndërhyjnë pasi pavarësisht denoncimeve deri më tani nuk është marrë ndonjë masë. “Në 12 mars është bërë grabitja e varrezave e nuk dihet. Denoncimin në policinë e shtetit e bëra që isha dezhurn. Ato i djegin gotat, i shtypin gota i përziejnë. Tani i lutem shtetit të marrë masa, se është një pronë që është e të gjithë popullit nuk është vetëm e imja”, rrëfen ai. Bastisja e varrezave publike është një fenomen i njohur prej disa vitesh. Varret e dëmtuara janë me pllaka betoni, ndërsa dhunohen për t’u përdorur për skrap pjesë metalike e sende me vlerë që shiten më pas në treg.