Dhunohet dhe grabitet kambisti te rruga e Kavajës, autorët braktisën motorin e u larguan në këmbë

4 Maj 2021, 15:39 | Përditesimi: 4 Maj 2021, 15:39

TIRANË- Dy grabitësit po e prisnin në afërsi të një pike karburanti, në fillim të Rrugës së Kavajës. Dyshohet se kishin informacion të detajuar se aty do të kalonte një punonjës i një pike këmbimi valutor me shuma parash. Sapo motori i 55-vjeçarit Qani Zili mori kthesën në të djathtë dhe kaloi karburantin, dy grabitësit u afruan dhe filluan ta godasin me sqepar. Për fat të mirë, Zili ishte me kaskë në kokë dhe nuk pësoi dëme.

Të dy grabitësit ishin të maskuar, njëri prej tyre i mori çantën me para dhe u nisën, njëri në këmbë dhe i dyti me motor, me synimin për t’u bashkuar tek vizat e bardha në Rrugën e Kavajës. Por, plani nuk funksinoi. Në tentativë për t’u larguar, mes përmes pikës së karburantit, sapo doli në rrugë, motorri u përplas me një automjet tip Mercedez Benz. Përplasja detyroi grabitësin të largohet në këmbë, bashkë me mikun e tij dhe paratë, në drejtim të “21 Dhjetorit”, pikë nga ku kanë humbur çdo gjurmë.

Policia mori në pyetje 55-vjeçarin, ndërsa në deklarimet e tij ai është shprehur se nuk kishte dijeni sa para kishte me vete. Nga ana tjetër pronari i pikës së këmbimit valutor u tha hetuesve se ishin rreth 300 mijë lekë. 

Policia ka sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë në vendin e ngjarjes, përmes së cilave synon të shkoj deri tek autorët. Kamera sigurie janë sekuestruar edhe në biznese të tjera në drejtim të “21 Dhjetorit”. 

b.ha./Shqiptarja.com