Dhunoi futbollistët e U-17 të Laçit në sy të policit, shoqërohet ish-trajneri Ndue Tarazhi

30 Tetor 2019, 15:09

LAÇ- Një ngjarje e ndodhur tre vite më parë në futbollin e moshave e cila u bë publike ditën e djeshme ka sjellë shoqërimin e ish-trajnerit Ndue Tarazhi 77-vjeç, i cili kur drejtonte skuadrën e U-17 të Laçit ka dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht të gjithë lojtarët për shkak se kanë humbur ndeshjen.

Ai është shoqëruar në polici që nga ora 08:00 e mëngjesit dhe vijon të merret në pyetje nga ofiecerët e policisë. Ndaj tij po kryhen të gjitha veprimet proceduriale.

Ngjarja nuk është bërë publike në momentin kur ka ndodhur, por një video e bërë viral ditën e djeshme ka ngritur shqetësim në rrjet, ndërsa sot Tarazhi nuk drejton më asnjë skuadër.

Në video ai shfaqet duke qëlluar me shpulla të gjithë futbollistët, duke i presionuar për rezultatin e arritur, ndërkohë që prezent në fushën ku ndodh e gjithë ngjarja është edhe një punonjës policie.

Policia njofton se materialet procedurale u referuan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Kurbin për vepren penale në ngarkim të tij " Keqtrajtim i të miturit".