Ditën e sotme në Dibër u zhvillua seanca e parë gjyqësore e një dosjeje që ka tërhequr vëmendjen e të gjithë opinionit publik dhe ka përplasur palët politike prej 3 vitesh tashmë. Dosja e famshme 184 pasi prokuroria e Dibrës përfundoi hetimet para 1 muaji tashmë do të jetë para togave të zeza për gjykim. I pranishëm në seancë edhe përfaqësuesi i PD, në rolin e kallëzuesit. Seanca u shty për në 29 janar pasi palët kërkuan të njihen me fashikujt e dosjes. Pas 2 javësh pritet të vendoset nëse dosja rikthehet për hetim apo vijon procesi gjyqësor.
Partia Demokratike kërkon që çështja të shkojë në GJKKO për kompetencë lëndore pasi bëhet fjalë për grup të strukturuar kriminal.
Prokurori që përfaqëson akuzën në seancë është Urim Buci. Gjyqtari është Xhevdet Lika, i cili sipas një vendimi të siguruar nga Report Tv është emëruar gjyqtar në janarin e vitit 2020, pra një vit më parë.
Kujtojmë dosja 184 vjen para gjykatës së Dibrës pas një ping-pongu të gjatë mes institucioneve të drejtësisë. Nga krimet e renda kjo dosje bëri rrugën Tiranë-Dibër për 4 herë vajtje-ardhje deri sa prokurorët aty u bindën që ishte kompetencë e tyre dhe pranuan ta hetojnë. Sipas akuzës së Dibrës në zgjedhjet lokale të 2016 ku do të zëvendësohej Shukri Xhelili me Agim Ramën, ka pasur shit-blerje votash por personat përgjegjës s'mund të hetoheshin pasi vepra penale ishte parashkruar.
Robert Aga ish shefi policisë në vitin 2016, Drini Gjeci ish kreu arsimit, Nuri Meda zyrtar në Njësinë administrative Tomin, Hasan Hoti Njësia Administrative Lurë dalin sot para gjykatës pasi Prokuoria ka kërkuar të merren të pandehur për shpërdorim detyre dhe kanosje të zgjedhësve dhe rrezikojnë të dënohen nga 1 deri në 7 vite burg. Shpërdorimi detyrës sipas nenit 248 ka një marzh dënimi deri në 7 vite ndërsa kanosja e zgjedhësve nga një vit deri në katër sipas nenit 329 të kodit penal.