‘Dieta planetare e shëndetit’, regjimi ushqimor që rekomandohet të fillojë që nga mosha 2-vjeçare

22 Janar 2019, 14:11 | Përditesimi: 22 Janar 2019, 14:11

Një grup prej 37 shkencëtarësh nga e gjithë bota ka zhvilluar një dietë e cila mund të përmirësojë shëndetin, siguron ushqim për 10 miliard njerëz dhe gjithçka pa shkaktuar dëme për planetin.

Ajo që quhet "Dieta planetare e shëndetit" mund të parandalojë deri 11.6 milion vdekje të parakohshme - thotë raporti i botuar në revistën mjekësore The Lancet. Popullsia e botës deri ne vitin 2050 do të arrijë në 10 miliardë njerëz. Kjo rritje, plus zakonet tona aktuale të dietës dhe ushqimit, do të përkeqësojnë rreziqet që u kanosen njerëzve dhe planetit.

Për shkencëtarët “dieta e shëndetshme planetare” nuk e ndalon krejtësisht mishin dhe bulmetin, por kërkon një ndryshim thelbësor në atë që njerëzit vendosin në pjata, si dhe kthim tek ushqimet që ne rrallëherë i përdorim. Ajo bazohet në reduktimin e konsumimit të mishit të kuq dhe sheqerit si dhe rritjen konsumit të frutave, perimeve dhe arrave.

Dieta rekomandon konsumin një herë në javë të një bifteku të madh mishi të kuq. Konsumimin dy herë në javë të peshkut dhe mishit të pulës. Konsumimin çdo ditë të perimeve, frutave, arrave dhe lajthive, konsumin ditor të cerealeve integral, që të gjitha bashkë perfaqësojnë një konsum total kalorik prej 2500 kalori në ditë.

Sipas këtij plani, Evropa dhe Amerika e Veriut duhet të reduktojnë masivisht mishin e kuq, Azia Lindore duhet të reduktojë peshkun kurse Afrika, perimet e ngrira. Shkencëtarët janë të bindur se një ndryshim global në dietë dhe në prodhimin e ushqimit është i nevojshëm për të zvogëluar numrin e 3 miliardë njerëzve në mbarë botën që janë të kequshqyer si dhe për të patur nën kontroll prodhimin ushqimor i cili është vënë në pikëpyetje nga ndryshimet klimaterike, humbja e biodiversitetit dhe ndotja.

b.ha./Shqiptarja.com