DigitAlb prezanton filmin dokumentar "Lorik", dedikuar jetës dhe karrierës së kapitenit legjendar të Kombëtares Shqiptare, Lorik Cana

5 Dhjetor 2018, 14:17 | Përditesimi i fundit: 2018-12-05 14:21:09

DigitAlb me bashkëpunimin e fondacionit “Lorik Cana 5”, në kuadër të kontributit për artin dhe kinematografinë, sjell pranë publikut në një mbrëmje private premierën e filmit dokumentar “Lorik”, i realizuar nga gazetari Andi Decka.

Filmi dokumentar Lorik është një prodhim i DigitAlb dhe i realizuar nga autori Andi Decka, dedikuar jetës dhe karrierës së kapitenit legjendar të Kombëtares Shqiptare, Lorik Cana.

Ky dokumentar i rrallë sportiv, i realizuar si asnjëherë më parë, pa narracion dhe me historinë e karrierës së tij, rrëfehet nga vetë Lorik Cana dhe personat e afërt që ndikuan në formimin dhe zhvillimin e tij si person dhe si futbollist. Filmi dokumentar është i ndërtuar në një rend kronologjik dhe përshkon të gjithë etapat e rëndësishme në jetën dhe karrierën e Lorikut, që nga fëmijëria në Gjakovë, hapat e parë të futbollit, transferimi i vështirë te PSG, kalimi i bujshëm te Marseille e deri te Sunderland, Galatasaray e Lazio.