Dikur me kartolina, sot urime 'copy-paste' në rrjetet sociale...

31 Dhjetor 2019, 12:52

E dashur ****!
Të uroj nga zemra Gëzuar Vitin e Ri 2019!
Sa kanë shekujt netë e ditë,
Sa sekonda ka ky vit ,
Aq gëzime e lumturi,
Të uroj ty Gëzuar Vitin e ri!...

Kështu uronin shqiptarët dikur...

Në prag të ndërrimit të viteve kushdo shpenzon kohë për dhurata dhe urime për të afërmit, prindërit, miqtë e njerëzit e dashur të zemrës për t’i uruar festat e fundvitit. Ndryshe, festat nuk do të kishin të njëjtin kuptim, nëse nuk do ishin dhuratat që bëjmë  edhe që marrim. Dikur me një kartolinë shkëmbeheshin mes miqsh urimet më të bukura për këtë festë, traditë kjo tashmë në zhdukje.

Por sot, urimet mes miqve dhe personave të dashur, nuk bëhen më mes fjalëve të shkruara në kartolinë, por nga mesazhe virtuale të rrjeteve sociale e telefona celularë. Kamera e ReportTV, ka pyetur qytetarët se si i kujtojnë ata kartolinat që dikur ishin forma më e ëmbël për të thënë: Gëzuar!

Qytetare: Janë zëvendësuar, po kishte më lezet me kartolinat e dikurshme. Ishte diçka më e veçantë.

Qytetar:Vinte edhe nga dikush, që s’e kishe menduar që do t’më urojë dikush. Kishte të veten e saj. Kush gjente kartolinën më të bukur, kush gjente vargjet më të bukura për të uruar.

Qytetar: Ç’është e vërteta ëzhtë zbehur ajo, bukuria e kartolinave, që ndodhte para disa vitesh sepse unë i përkas edhe periudhës kur ishin kartolinat edhe kësaj periudhe.  Sigurisht mesazhet vazhdojnë, shkojnë, urimet vazhdojnë, shkojnë nëpërmjet rrjeteve sociale. Por kartolina ishte diçka e veçantë, diçka shumë e bukur.

Qytetare: Ka humbur çdo gjë, edhe tek librat nuk arrijmë më të lexojmë, thjesht marrim një tekst e shkruajmë, e lexojmë , e kopjojmë, edhe kaq. Unë akoma ndoshta mbetem, edhe pse jam gjeneratë jo shumë e vjetër , e mendimit se librat mbeten gjëja më e mirë.