Dikur molla 'sterkinge' ishte kampion dhe shkonte deri në Rusi...Sot fermerët korçarë i shkulin pemët

21 Nëntor 2019, 16:46

KORÇË - Fshati Dvoran i Korçës është i njohur në të gjithë vendin për kultivimin e mollës. Varieteti tradicional dhe më i njohur në këtë zonë, molla ‘sterkinge’ apo e kuqe, vitet e fundit duket se po braktiset nga fermerët për shkak se kërkesa në treg ka rënë, ndërsa  kostoja e prodhimit është e lartë. Të shumtë janë ata fermerë të cilët kanë shkulur sipërfaqe të konsiderueshme toke të mbjella me mollën ‘sterking’, duke i zëvendësuar ato me varietet e reja të mollës, ku dominon ‘Fuxhi’, apo arra e lajthi, e në disa raste, tokat janë lënë djerrë. Kjo situatë ka sjellë humbje të konsiderueshme për fermerët e Dvoranit.

 ‘7 dynym shkula. 800 rrënjë. Me çfarë ta zëvendësoj’, thotë një fermer‘Molla nuk po shkon. Fermerët duke mos dalë me fitim po detyrohen të shkulin sipërfaqet e tyre të mbjella me mollë dhe se dimë se çfarë do ta mbjellim’, shprehet një nga fermerët.

‘Molla sterkinge mbante kampion. Jo vetëm në Shqipëri, por në tërë botën. Shkonte edhe në Rusi. Po ç'ndodh këtu? Vijnë ilaçet skarco. Komplet skarco. Është mëkat. Unë kam shkulur 5 dynym ‘stekinge’’, - thotë një tjetër fermer.

Agronom, Rexhep Azisllari tregon disa nga arsyet se përse ky varietet po humbet dhe pasojat që ka sjellë për fermerët.

"Tani tërheqin këto varietetet me ngjyrë të zezë. Këto kërkojnë grumbulluesit e frigoriferëve, apo edhe tregtarët që vijnë nga rrethet. Sterkingu meqë është varietet i ëmbël ka shkuar drejt rënies së interes pasi njerëzit  janë një çik të shëndoshë dhe ka rënë kërkesa. Plus ky varietet nuk po i reziston më kohës si dikur", shprehet Azisllari.

Anesti Stajo, specialist i mbrojtjes së bimëve në Drejtorinë Bujqësore Korçë, në një lidhje telefonike, bën me dije se temperaturat e larta të muajve shtator e tetor këtë vit ndikuan negativisht tek ato fermerë të pakët që kanë pemë të mollës ‘sterking’ duke rritur  % e sheqerit, çka ka sjellë ngurtësim të tij brenda tulit të mollës.