Dimri 'i ngrohtë' ul numrin e shpendëve migrator në Lagunën e Lezhës...por nuk braktiset Laguna e Patokut

16 Janar 2020, 20:44 | Përditesimi i fundit: 2020-01-16 20:45:16

Numri i shpendëve migrator gjatë stinës së dimrit ka pësuar rënie në lagunat e Patokut, Talës dhe Kune-Vainit. Konstatimi ka ardhur pas censusit të shpendëve të zhvilluar në këto rezervate natyrore.

Specialisti i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura Kristjan Beqiri, thotë se klima më e ngrohte e këtij dimri ka ndikuar në rënien e numrit të shpendëve që largohen gjatë dimrit.

"Mund të ketë ndikuar kushtet klimaterike. Por mund të themi që llojet e specieve në këtë lagunë janë të njëjta me vitin e kaluar. 200-250 specie të ndryshme në këtë lagunë. Moratoriumi i gjuetisë ka ndikuar pozitivisht", tha Krisjan Beqiri Specialist i ADZM Lezhë.

Censusi i shpendëve migrator u mbështet edhe nga Drejtoria e Turizmit në Bashkinë Lezhë. Drejtori Renaldo Xhanaj tha se lagunat me shumëllojshmëri shpendësh japin impakt mjaft pozitiv ne zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm.

"Në këtë numërim shpendësh u evidentua që ka një shumëllojshmëri të larmishme të shpendëve që na japin impuls pozitiv në zhvillimin e turizmit të qëndrueshëm", tha Renaldo Xhanaj Drejtor i Turizmit Bashkia Lezhë. 

Në lagunat e Lezhës ka aktualisht 200 lloje shpendësh dhe në këtë drejtim ka dhënë impakt mjaft pozitiv moratoriumi i gjuetisë, ndërsa është rritur edhe interesi i vizitorëve dhe turistëve të huaj për të parë nga afër këto mjedise lagunore unikale në rajon. Klima e ngrohtë ka sjellë që Lagunat e Lezhës të mos braktisen nga shpendët gjatë dimrit.