Dimri shton prerjet/ Prefekti i Kukësit: Punonjësit të lënë zyrat dhe të dalin në terren ose të ikin

26 Tetor 2019, 20:35

Prefekti i Kukësit Zenel Kuçana ka dhënë alarmin për masakrën kriminale që po bëhet me pyjet e qarkut Kukës, në shkelje të ligjit dhe moratoriumit.

Gjatë një takimi me drejtues të disa institucioneve dhe të policisë së shtetit, Kuçana foli me tone të ashpra duke ju kërkuar atyre  braktisjen e zyrave dhe daljen e tyre në terren pasi prerjet e paligjshme për dru zjarri po shkatërrojnë sipërfaqe të konsiderueshme të masiveve pyjore.

"Me mos reagimin tonë po bëjmë që të shkatërrohen pyjet. Braktisni zyrat dilni në pyll. Filiza të njoma po priten me motorseka sa krahu. Turp, turp! Drejtuesi i policisë jep përndjekje penale për të gjithë ato punonjës që nuk kryejnë detyrën. Nuk ecet më kështu.

Është masakër në pyll. Jo vetëm këtu por edhe në Has dhe në Tropojë. Është e papranueshme që ne që paguhemi me taksat e taksapaguesve shqiptarë të lejojmë këtë gjendje. Jeni bërë bashkëfajtorë me ta, ndryshoni se ndryshe do të ikni" tha Zenel Kuçana, prefekt i Qarkut Kukës.

Afrimi i stinës së dimrit shton te banorët e zonës verilindore angazhimin për të siguruar ngrohjen me dru zjarri  ndërkohë që në Kukës nuk ka asnjë pikë për tregtimin e druve të zjarrit për ngrohje dhe kompani të licencuara për prerjen e shitjen e druve duke sjellë kështu prerjen e paligjshme të pyjeve.