90 sekondat e grabitjes spektakolare në Rinas /Report TV ndërton SKEMËN

10 Prill 2019, 12:50 | Përditesimi i fundit: 2019-04-10 18:53:53

Report Tv zbardh të gjithë dinamikën dhe ndërton skemën e grabitjes së 7 thasëve ma para nga barku i avionit në Pistën e Aeroportit të Rinasit. E gjithë hyrja dhe dalja e fugonit të bardhë të grabitësve me mbishkrimin “Hetimi Tatimor” është fiksuar nga kamerat e sigurisë.Ata janë futur, nga kjo portë të cilën e shikoni në pamje, e cila shërben për  hyrjen e zjarrfikësve. Grabitësit, kanë spostuar një bllok betoni duke e lidhur me kavo dhe e kanë tërhequr dhe kanë krijuar lehtësi hyrje, sic e shikoni edhe në këtë foto. Duket se grabitësit kanë qenë të mirëinformuar, pasi kjo është e vetmja portë në aeroport që nuk ka kamera sigurie të orientuara nga hyrja dhe grabitësit kanë vepruar për të hapur derën pa u pikasur nga askush.

Nga kjo derë, që e shikoni në ekran, fugoni i grabitësve ka kaluar të gjithë perimetrin e terminalit të pasagjerëve ku janë edhe sallat e kompanisë së sigurisë ICTS.Me shpejtësi, fugoni i 4 grabitësve është afruar  tek avioni i “Austria Airlines” ku paratë e transportuara nga 4 banka po vendoseshin në avion dhe në 90 sekonda kanë arritur të zbatojnë të gjithë planin. Të veshur si komando e të maskuar ata kanë kërcënuar me armë punonjësit e aeroportit dhe të kompanisë së sigurimit ICTS.Pasi kanë marrë 7 thasët me para, grabitësit janë drejtuar një tjetër dalje, tek kjo derë e cila ndodhet pranë parkimit C3 që lidh më pas me rrugën që të çon për në drejtim të Tapizës.E gjithë grabitja ka nisur në orën 14. 40 minuta pikërisht në momentin kur ndërroheshin turnet e stafit të aeroportit.

Sapo ndodhi grabitja, punonjësit e sigurisë së aeroportit kanë njoftuar Policinë e Shtetit dhe patrulla më e afërt është vënë në ndjekje të fugonit të grabitësve.Rreth një kilometër larg aeroportit, pati edhe shkëmbim zjarri mes grabitësve dhe policisë, ku mbeti i vrarë edhe organizatori i grabitjes Admir Murataj. Nga të dhënat nga grupi hetimor, dyshohet se tre grabitësit e tjerë janë larguar me dy mjete. Dy prej grabitësve u larguan me makinën që u gjet nga policia e djegur në Bathore dhe një tjetër grabitës është larguar me një fugon të gjetur në zonën e Tapizës.