Dita Botërore e Muzikës, bashkia e Tiranës rehabiliton lulishten 'Frederic Chopin! Veliaj: Rikthyem një bizhu në qytet

21 Qershor 2020, 13:41

Në bashkëpunim me ambasadën polake dhe atë franceze bashkia e Tiranës përuroi sot një lulishte te rehabilituar pranë zonës e Liqenit Artificial e quajtur Frederic Chopin, kompozitorit të njohur polak. Kjo ndodhi pikësrisht në Ditën Botërore të Muzikës, ndërsa në ceremoni morën pjesë kryebashkiaku Erion Veliaj, Ambasadori i Polonisë, Karol Bachura, Ambasadorja e Francës, Christina Vasak dhe Kryetari i Shoqatës “F. Shopen”, Zhani Ciko.

Veliaj tha se kryeqyteti ka nga sot një tjetër bizhu, ndërsa theksoi se një fokus të veçantë ka edhe nisma për rehabilitimin e hapësirave publike. “Ky është një vit përvjetorësh; është përvjetori i Chopin, është edhe përvjetori i Tiranës kryeqytet. Një nga nismat që mund të funksionojë edhe në kohë pandemie është rehabilitimi i hapësirave publike në qytet. Sheshi “Chopin” është hyrja kryesore e Liqenit Artificial të Tiranës, pra është një reflektim i fundit pare se të futemi në një mjedis më të qetë dhe më të pastër. Ndaj, më vjen mirë që kjo portë e Parkut të Madh të Liqenit Artificial të Tiranës, sot ka dalë në dritë; është një bizhu e pastruar nga pluhuri, ka marrë shkëlqim, është kuruar me detaje, dhe besoj se do të kthehet në një hapësirë reflektive të çfarë do të thotë sot të jesh njeri i mirë, i talentuar, por edhe evropian i mirë."