Dita e 10-të e vaksinimit anti COVID/ Specialistja Preza: Janë vaksinuar mbi 500 personel shëndetësor, nuk kanë shfaqur efekte anësore

20 Janar 2021, 19:06

Sot u shënua dita e 10-të e vaksinimit antiCOVID në vendin tonë. Në një intervistë për Report Tv, specialistja e programit e vaksinimit në ISHP, Iria Preza shprehet se procesi vijon normalisht dhe se deri më tani janë vaksinuar mbi 500 personel shëndetësor. Gjithashtu ajo  shprehet se asnjë prej të vaksinuarve nuk ka shfaqur simptoma apo efekte anësore.

"Janë bërë afërsisht 500 vaksina për personat që i përkasin personelit shëndetësor, kryesisht nga spitalet COVID dhe urgjencës së qarkut të Tiranës. Edhe sot ka qenë një proces i qetë. Ashtu siç kemi thënë më parë, një pjesë e rëndësishme e vaksinimit është raportimi i ndonjë efekti anësor. Në raportimet që kemi janë efekte të zakonshme, një dhimbje në vendin e injektimit nga shpimi. Në këtë sasi të parë që kemi jemi të fokusuar tek personeli shëndetësor sidomos për ata që janë në vijë të parë. Janari është i konfirmuar që pritet të vijë sasia tjetër nga Pfizer dhe menjëherë do vijojë puna për vaksinimin e grupeve të tjera prioritare. Është shumë e rëndësishme që të gjithë të jemi të vetëdijshëm të presim. Vaksinimi është shumë i rëndësishëm, të jemi të duruar të dëgjojmë, të marrim informacione nga burime të besueshme, nga media, mos të tregohemi të paduruar" - tha Preza.