Dita e 15 e grevës së urisë/ Hajdari pranë naftëtarëve: Kanë frikë nga opinioni i ndërkombëtarëve!

29 Tetor 2020, 13:11 | Përditesimi i fundit: 2020-10-29 20:10:08

BALLSH- Deputetja Rudina Hajdari ka shkuar në Uzinwn e Ballshit për të takuar naftëtarët në ditën e 15 të grevës. Ata i kanë kërkuar asaj që të ngrejë zërin në Kuvend lidhur me çështjen e tyre. E vetmja kërkesë për Hajdarin është që të pyesë Ramën se çfarë ka ofruar për ta.

"Ti duhet ta ngresh zërin sot në emrin tim dhe të naftëtarëve duhet ti thuash vetëm kaq Ramës, çfarë ofron ti për naftëtarët. Çfarë ofron Rama për ne që sot jemi pa bukë", tha një naftëtar.

"Gjak shqiptari të ketë për këto heroina, ai shqipërinë e ka varrosur për së gjalli. Ngrini zërin në parlament. Mallakastra u varros për së gjalli, pa ujë pa drita, pa punë", tha një tjetër naftëtar.

Ajo ka deklaruar se do të shfrytëzoj të gjitha mundësitë që i ofrohen për t'iu gjendur pranë naftëtarëve.

"Është për të ardhur keq që kjo simbolikë kaq e fortë e grave në grevë dhe mos reagimi i qeverise është e turpshme.  Ju falenderoj që po luftoni për të gjithë ata që kanë të drejtë e qeveria nuk u plotëson të drejtat më minimale. Jeni këtu për të mbajtur familjet e fëmijët gjallë.  Mosreagimi është i turpshëm. Pesha më e madhe i bie ekzekutivit dhe Edi Ramës.   Kam parë çka ka ndodhur këtu dhe e di që jeni në momente të vështira.  Në parlament do ngre zërin për të drejtat tuaja dhe mundësitë që më jepen do t'i shfrytëzoj.  Nuk do ndalem për të evidentuar problematikat që keni jo vetëm në parlament, por edhe në Ambasada.  Këta i druhen opinionit të ndërkombëtarë dhe duhet treguar kush janë", tha Hajdari.

Pas kësaj vizite ka reaguar Rama i cili u ka bërë thirrje naftëtarëve të mos përdoren politikisht.