Dita e 23-të e protestës, banorët e Unazës së Re peticion Arta Markut: Liro të arrestuarit dhe ndalo projektin

26 Nëntor 2018, 19:36

TIRANË-Për të 23-tën ditë me radhë banorët e Unazës së Re bllokuan rrugën për më shumë se një orë, ndërsa protesta u mbështet si gjithmonë edhe nga deputetët e opozitës. Rruga u bllokua nga ora 17:00- 18:00, ndërsa banorët firmosën një peticion drejtuar Kryeprokurores së përgjithshme të përkohshme Arta Marku për të liruar nga burgu të arrestuarit dhe ndërprerjen e punimeve.

Deri tani në burg janë tre protestues të Unazës së Re; Dorjan Protoduari, i cili udhëhiqte protestën para Parlamentit, Ilias Sketiraj personi që tentoi të qëllojë Ramën me këpucë te Spitali i Traumës dhe Daniel Drobaj, i cili sipas prokurorisë hodhi kapsollën që plagosi policen Ina Nuka (lexo këtu).

Ndryshe nga herët e fundit, sonte lideri i PD, Lulzim Basha nuk ka qenë i pranishëm, por vetëm deputetët Klevis Balliu dhe Gent Strazimiri. Banorët prej 23 ditësh vijojnë protestën duke bllokuar rrugën në Unazën e Re, pasi kundërshtojnë shembjen e banesave që preken nga projekti. Protesta e mbështetur nga deputetët e opozitës zhvillohet nga banorët që nuk kanë leje për banesat e tyre.

Qeveria ka deklaruar se do të dëmshpërblejë vetëm banorët që kanë leje, ndërsa ata që janë pa dokumente jo. Ndërkohë që Bashkia e Tiranës ka vendosur bonues qiraje 3 vite dhe prioritet për banesat sociale.