Dita e 5 e grevës së Urisë/ Thirrja e grave naftëtare të Ballshit: Të dalim nga kjo dhomë skëterrë

19 Tetor 2020, 10:40 | Përditesimi i fundit: 2020-10-19 10:45:13

Në ditën e 5-të të grevës së urisë, është rënduar shëndeti i naftëtareve të Ballshit.

Së bashku me grevën e naftëtarëve, bëhen 22 ditë që punëtorët e rafinerisë së naftës në Ballsh kërkojnë rrogat e tyre, të cilat nuk iu janë dhënë pagat e fituara me gjyq.

Sipas informacioneve për Report Tv, dy prej grevistëve janë me tension të lartë dhe për t'i ndjekur ka ardhur një infermiere dhe një ambulancë, e cila u ka matur tensionin dhe sipas saj, grevistet kanë probleme të luhatjes së tensionit.

Këtë të hënë jashtë ambienteve janë edhe kolegë të tyre, të cilët kanë mbështetur që nga dita e parë kolegët që ndodhen në grevë urie. Pavarësisht se ndodhen në grevë urie mes të ftohtit dhe sëmundjeve, akoma nuk ka ardhur një zgjidhje për problemin e tyre.

"Nuk na ka ardhur asnjë njeri nga spitali dhe nuk presim asnjë njeri nga spitali. Sot jam me një dhimbje të madhe dhe iu bëj thirrje të gjitha grave dhe zonjave të parlamentit, ambasadores Yuri Kim, ambasadores suedeze, zonjës Spiropali, po jetojmë në një muaj të dhimbshëm, ku nënat po heqin nga shpirti i tyre për të ushqyer ato fëmijë. Inshallah arrij që të dal nga greva, jam shumë e shqetësuar që e kam shumë rëndë, që punova 34 vjet, vallë do arrij që ta takoj atë shoqe, nuk e di, shpresoj. Nuk pyes për veten time se si jam, po kam kaluar shumë shqetësime kur mora vesh që shoqja ime është rëndë. Doli në pension e nuk e gëzoi. U bëj thirrje të dalim nga kjo dhomë skëterrë, se s'po na dalin as fëmijët, po na shikojnë në televizor me lot në sy. Po na acarohen dhe fëmijët", tha njëra nga naftëtaret.

Ndërkohë janë mbledhur mbështetësit e grevisteve dhe njëri prej tyre sindikaliste ka thënë se kushtet e rënduara të grave nga gjendja shëndetësore i bëjmë thirrje qeverisë që drejtohet nga Rama që të marrë masa urgjente për të realizuar kërkesat e tyre, që janë marrja e pagave të 9 muajve që kanë fituar me gjyq, rifillimi i punës e librezat e punës.