Dita e parë e shkollës/ Uron politika, Rama: Rindërtuam 200 shkolla, së shpejti libra falas për të gjithë! Meta: Dija e domosdoshme për dallgët e jetës

16 Shtator 2019, 15:37

Ditën e sotme  do të nisë viti i ri shkollor 2019-2020. Ministria e Arsimit konfirmoi për Shqiptarja.com se në bankat e shkollës këtë të hënë do të ulen për herë të parë 24 mijë në klasën e parë. Ndërkohë që 272 mijë janë në sistemin 9-vjeçar dhe 90 mijë nxënës në gjimnaz. Në total ditën e sotme  do u drejtohen shkollave 386 mijë nxënës. Nga klasa e parë deri në të pestën librat u shpërndanë falas këtë vit shkollor.

Një urim për të gjithë nxënësit që fillojnë sot mësimin, ka ardhur një urim nga Presidenti Meta i cili thotë që investimi në dijë është një investim i sigurt për të gjithë jetën. Sipas Metës, dija është e domosdoshme për të përballuar dallgët e jetës. Po ashtu një vit të mbarë Shkollor për nxënësit ka uruar edhe kryeministri Rama i cili ka shpërndarë disa foto të fëmijëve me libra në duar. Më pas Rama ka thënë se deri më tani janë rindërtuar 200 shkolla ndërsa shumë të jera pritet të bëhen në vitet e ardhshme. Po kështu Rama ka deklaruar se në vitet në vijim do të punohet që të mundësohen libra falas nga klasa e parë në klasën e nëntë. Edhe kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka uruar nxënësit nga Fieri duke thënë se nxënësit dhe arsimi duhet të jetë prioritet.

Nisja e vitit të ri shkollor është edhe ndër periudhat më të vështira për shumë familje, pasi shpenzimet për të kompletuar fëmijën me libra dhe rroba janë relativisht të larta. Nga një përllogaritje e thjeshtë kostoja finale që duhet të shpenzojnë prindërit arrin në rreth 20 mijë lekë të reja. Ndërkohë vetë prindërit u shprehën për Report Tv se kërkesat e fëmijëve janë të papërballueshme.