Dita e takimit me qytetarët, Rama në fermën në Lushnje, Basha me fermerët në Rrogozhinë

27 Maj 2020, 13:42

Duket se sot ka qenë dita e takimit me qytetarët jashtë Tiranës, ku nga një anë kryeministri Rama ka shkuar në Lushnje për të parë nga afër investimet e bëra në fermat e kësaj zone, ndërsa Kreu i PD, Lulzim Basha ka zhvilluar takime me fermerët në Rrogozhinë.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar dhe nga ambasadori i BE, Luigi Soreca, ka zhvilluar një vizitë në një fermë në Lushnje. Duke inspektuar investimet dhe punë e fermerëve në një nga fermat më të mëdha të mbarështimit të lopëve dhe përpunimit të qumështit, Rama tha se fermerët duket të lidhen dhe hyjnë në zinxhirin e tregtimit nga prodhimi deri tek shitja e produkteve duke u lidhur me pikat e grumbullimit, të cilat gjejnë dhe tregun përkatës. Ai vuri theksin tek grumbullimi i fermerëve në mënyrë që fitimi dhe puna të jenë të garantuara, gjë të cilën e konfirmoi dhe sipërmarrësi, i cili shtoi se “fermeri jonë duhet ta  kuptojë që nuk mund të rrijë me 3 lopë, sepse gënjen veten. Nuk mundet me 10 lopë të bësh investime të tilla. Sot ka ardhur koha që qumështi të jetë shumë i kontrolluar se është produkt i domosdoshëm”.

“Këtu është gjithë problemi, si shtyhet më përpara nga ana e mentalitetit, fermeri i vogël që tamam gënjen veten. Domethënë, në një ngastër, i ndarë nga të tjerët, prodhon atë që prodhon, pastaj thotë nuk kam ku e shes. Po si do ta shesësh  nëse nuk je brenda një cikli më të madh e nëse nuk ka një bazë shitje ku ti mbaron punë, pra, nuk je individualisht personi që shkon në treg. Ti je pjesë e një zinxhiri që shkon tek pika e grumbullimit. Ti e ke kontratën, ja ku e ke farën, këtë do më prodhosh e ndodh çfarë ndodh me tregun, këto janë lekët e tua. Barra është e atij tjetrit. Po kështu dhe me qumështin. Si mund të rrihet me 2 lopë, me një çift dhish e të thuhet pastaj të ma blejë shteti. Plus siguria që është tmerr”,  tha Rama.

Kjo fermë e mbarështimit të lopëve dhe përpunimit të qumështit është kryer në bashkëpunim me financimet e BE-së, ku po modernizohen proceset në sistemin e mjeljes për një qumësht më të sigurtë në treg. Ambasadori Soreca, nga ana e tij shtoi se skema mbështetëse IPARD po funksionon.

    No videos found.