Në Mianmar ka ndodhur goditja më e dhunshme kundër protestuesve pro-demokracisë sot kur regjimi ushtarak në pushtet tregoi forcën e tij në Përvjetorin e Forcave të Armatosura.
Mianmar Now, media kryesore e lajmeve në vend, njoftoi se janë verifikuar vdekjet e 114 civilëve në 44 qytete në tetë nga 15 rajone, ndërkohë që nga fillimi i protestave kanë humbur jetën të paktën 400 persona.
Kjo shifër u dha nga Shoqata e Ndihmës për të Burgosurit Politikë, një grup që dokumenton vdekjet dhe arrestimet, edhe pse kjo shoqatë ka paralajmëruar që numri aktual i viktimave me gjasë është shumë më i lartë.
Të Premten Junta ushtarake paralajmëroi protestuesit për rrezikun e goditjes në kokë dhe shpinë nëse vazhdojnë demonstratat por një gjë e tillë nuk i ndaloi qytetarët të dilnin në rrugë duke u përballur me shtypjen e dhunshme nga forcat e sigurisë.
Komandantët ushtarakë të 12 shteteve kanë dënuar forcën vdekjeprurëse të përdorur nga ushtria e Mianmarit. Përmes një deklarate të përbashkët, shefat e mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara dhe disa shteteve të NATO-s si dhe të Japonisë, Zelandës së Re, Koresë së Jugut dhe Australisë, thanë se ushtria në Mianmar ka humbur kredibilitetin me njerëzit e saj.
“Një ushtri profesionale ndjek standardet ndërkombëtare për sjelljen dhe është përgjegjës për mbrojtjen, jo të lëndojë njerëzit ndaj të cilëve shërben”, thanë zyrtarët e mbrojtjes në deklaratën e përbashkët, ku dënuan përdorimin e forcës vdekjeprurëse ndaj njerëzve të paarmatosur.