Dita minute pas minute e mjekes në luftë me COVID-19: Pacientët nuk na shohin prej veshjeve, por na njohin nga sytë... do ia dalim mbanë

1 Maj 2020, 14:32

TIRANË- Esi Duka është vajzë mjekësh! T’i shërbejë pacientit në çdo kohë pa marrë përsipër rrezikun është misioni që do e shoqërojë derisa të mbajë veshur bluzën e bardhë. Babai i saj, mjek i njohur Andon Duka është ndarë nga jeta 2 vite më parë, ndërsa së bashku me mamanë, infermiere në konsultoren e fëmijëve, i janë përkushtuar me të gjitha forcat përballimit të pandemisë COVID-19 që ka mbërthyer gjithë botën.

Mëngjesi i Esit nis herët, në orën 07:00 kur së bashku me të ëmën dalin me lutjet që gjithçka të shkojë mirë e pacientët të dalin fitimtarë në betejën e tyre aspak të lehtë. Me mbylljen e derës së shtëpisë, rrugët e tyre ndahen. Mamaja, Diana për në konsultoren e fëmijëve dhe Esi për në Spitalin Infektiv, ku asnjëherë më parë nuk ka qenë i tillë, i shndërruar COVID...i blinduar me masa mbrojtëse e me mjekë të veshur me “mburoja” përballë një virusi të padukshëm që merr jetë.