Dita Ndërkombëtare e Librit për Fëmijë/ Ministrja e Kulturës dhe 'princesha' Elia Zaharia u lexojnë përralla fëmijëve

2 Prill 2019, 18:01

Dhurojini fëmijës një libër, dhurojini fëmijës një festë”, ky është slogani i Ditës Ndërkombëtare të Librit për fëmijë. Ky slogan bëri bashkë në këtë ditë disa fëmijë, të një nga shkollave fillore të Tiranës, ku përreth një orë mësuan më shumë për piktorin e njohur shqiptar Ibrahim Kodra. Librin “Më quajnë Ibrahim Kodra” të Luan Ramës, e lexoi ministrja e Kulturës, Elva Maragriti.

 “Ne kemi në fokus të veçantë librin dhe leximin me shumë politika edhe shumë aktivitete. Ndoshta ndjesia, që ju keni se të rinjtë po largohen nga leximi, nuk ishte ajo që unë perceptova sot. Ata i njihnin librin, që ne lexuam. Nuk mendoj se jemi kaq shpresëhumbur. Me siguri që duhet bërë shumë nga ne, nga shkollat edhe nga prindërit. Është një rreth i madh, që duhet të punojë, për t’i dhënë jehonën leximit, ashtu siç e kemi pasur edhe ne”, shprehet ministrja e Kulturës, Elva Margariti.

Ndërsa, nuk mungoi as libri “Sirena e Vogël” e Andersenit, të cilin e lexoi “princesha” Elia Zaharia. Nisma “Të lexojmë një libër, që të lexojnë” ka si qëllim, që nëpërmjet argëtimit  të rrisë nivelin e leximit tek fëmijët, të cilët nesër mund të mos jenë vetëm lexues sistematik, por edhe shkrimtarë të ardhshëm të vendit tonë.

 “Sot më pëlqyen librat. Lexoj shumë përralla. Më pëlqen “Dentistja shtrig”. Unë lexoj shpesh”, thotë një nga fëmijët.

Çdo libër ndihmon një fëmijë për të formuar një zakon leximi, prandaj duhet t’u ofrohet atyre, si një dhuratë e çmuar. Dita Ndërkombëtare e Librit, 2 prill, festohet që nga viti 1967, që përkon edhe me ditën e datëlindjes së shkrimtarit fort të dashur për fëmijët, Hans Christian Andersen.