Divjakë, i riu qëllon me armë zjarri dhe nuk pranon që t'i dorëzohet policisë, largohet me makinën e tyre

12 Mars 2021, 23:24

Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar mbrëmjen e sotme në Divjakë. Report Tv mëson se Artan Kaboçi, 34 vjeç ka qëlluar me armë zjarri në ajër për arsye të panjohura gjë që ka sjellë njoftimin e policisë nga banorët. Me të mbërritur policia në banesën e tij në fshatin Mëhallëz, i ka bërë thirrje 34-vjeçarit të dorëzohet, por ai nuk ka pranuar dhe ka qëlluar në drejtim të forcave të policisë, por fatmirësisht nuk raportohet për të plagosur. Nga të shtënat me armë janë dëmtuar makinat e policisë.

Pas ngjarjes Kaboçi ka marrë makinën e policisë dhe ka tentuar të largohet, por është kapur pas pak minutash nga forcat RENEA, të cilat u njoftuan për ngjarjen nga kolegët e tyre. 

Sipas raportimeve nga terreni 34-vjeçari njihet si person i cili krijonte probleme të vazhdueshme në fshat, pasi ishte konsumator i rregull i alkoolit. Edhe për ngjarjen e sotme ai dyshohet se ka qenë nën efektin e alkoolit

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.