Aktualiteti politik, investimet e kryera dhe ato të pritshme. Këto kanë qenë temat që kryeministri dhe deputeti i Vlorës Edi Rama, ka komentuar mbrëmjen e së enjtes për televizionin lokal “One TV Vlora”.
I pyetur bilancin e mandatit të dytë, Rama tha se ai është një mandate i goditur në mes nga tërmeti dhe pandemia.
“Shumë parashikime që kisha u prenë prej tërmetit dhe pandemisë, por gjithësesi është i suksesshëm sa i përket menaxhimit të këtyre të dyjave. Ky mandate është mandate që më lë mua personalisht shijen e pakënaqësisë pasi kemi për të bërë shumë më tepër. Por të shohim nga u nisëm. Shqipëria që kemi sot nuk ka të krahasuar me atë që kishim para 7 vitesh” – tha Rama.
Ai komentoi edhe kandidaturat e reja për deputetë të Partisë Socialiste në Vlorë. Rama konfirmoi se të sigurte do të jenë drejtuesit e qarqeve.
“A i kanë përmbushur pritshmëritë deputetët aktualë këtë duhet ta thotë populli i Vlorës dhe jo unë. Kandidaturat janë një proces që ka nisur prej një viti. Një gjë është e sigurt, që drejtuesit e qarqeve do të jenë deputetë. Pastaj për pjesën tjetër pritet vlerësimi. Unë nuk kam asnjë vlerësim negative për deputetët, por të gjithë mund të kishin bërë më shumë. Emrat e rinj nuk është çështje moshe por energjish. Mund të jesh shumë i ri si Ilir Meta, por mund të jesh dhe plak aq i lodhur. Por mund të jesh i vjetër si Alfred Moisiu por mbetesh gjithmonë i ri” – tha Rama.
Duke komentuar kandidatët e PD dhe LSI, Edi Rama tha se sheh vetëm një ekip me katër vetë.
“Unë shoh vetëm Saliun, Ilirin, Lulzimin dhe Monikën. Të tjerët nuk i shoh si ekip por si mbushësa topi” – tha Rama.
