Historia e trishtë e Griselda Gjikolajt/ Prindërit e adoleshentes, të ndarë, jetonte me qira me të vëllain binjak në Tiranë

27 Dhjetor 2018, 16:12 | Përditesimi i fundit: 2018-12-27 16:19:55

Maturantja Griselda Gjikolaj jetonte në një shtëpi me qëra me vëllain në Tiranë dhe prindërit i kishte të ndarë. Babai i saj jetonte në zonën e Kurbneshit në Mirditë, ndërsa mamaja në Itali. 17-vjeçarja bashkë me vëllain e saj binjak jetonin të vetëm, pavarësisht se ishin ende të mitur. Kjo është historia e trishtë e Griselda Gjikolaj e cila u vra gabimisht në zonën e Laprakës. Ajo mendohet se prej disa ditësh kishte një lidhje me Erion Bengën dhe u qëllua sapo konsumoi një kafe me të.

Edhe me autorin, Gjikolaj sipas Policisë dyshohet se kishte njohje. 17-vjeçarja do të prehet në zonën e Kurbneshit, aty ku kishte lindur. Vëllai i saj ishte duke e pritur në shtëpinë me qira në zonën pranë Spitalit të Traumës kur mori vesh lajmin.

Personi tjetër i përfshirë në këtë ngjarje, Erion Benga nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. 23-vjeçari është dënuar me 2 vite e 6 muaj burg në 2016 pasi ka shantazhuar një vajzë që ti jepte 2 mijë euro, që të mos I publikonte fotot intime. Erion Benga lëvizte me një makinë Mercedez Benz në Tiranë dhe jetonte në zonën e Laprakës. Ai ishte në një lidhje me Griselda Gjikolën dhe sipas Policisë ka qenë i ndaluar më parë për disa sherre në kryeqytet. Pikërisht një nga këto sherre ishte shkaku i vrasjes së Griselda Gjikolës.