Dogjën kabinat te Rruga e Kombit kundër tarifës, dënohen me një vit në provë 8 kuksianët

20 Shtator 2019, 19:55

Pas disa seancave maratonë prej më shumë se një viti e gjysëm, Gjykata e Kukësit ka vendosur të dënojë me 6 muaj  burgim të konvertuar në periudhë prove një vit, tetë prej protestuesve kundër pagesës prej 5 euro në “Rrugën e Kombit”. Protestuesit Ervis Oruçi, Armand Ademaj, Fatos Harulla, Mirdaim Nerguti, Lulzim Popa, Ahmet Tobli, Shpetim Todaj dhe Shaban Selmanaj, janë akuzuar nga prokuroria për veprën  penale të “Shkatërrimi i pronës” dhe “Kundërshtimit të punonjësit policisë së rendit publik” dhe nuk pranuan të nënshkruajnë marrëveshje fajësie me prokurorinë dhe pretenduan pafajësi.

Prokurori i çështjes Edmond Karriqi në seancën e mbajtur me 23 korrik 2019 kërkoi  6 muaj burg të konvertuar në periudhë prove, kërkesë që është pranuar nga gjyqtarja e çështjes Flutura Hoxha. Prokuroria ka paraqitur si provë materiale pamjet e protestës të transmetuara live nga disa televizione. Në fjalën e tij të mbrojtjes, avokati  Ilir Nerguti ka kërkuar pafajësi për klientët e tij.  “Klientët që unë mbroj nuk kanë bërë asnjë veprim të jashtëligjshëm. Nga pamjet filmike rezulton krejt e kundërta nga ato që paraqet prokuroria”, tha Neguti.

Nga tetë të akuzuarit  në seancë ishin të pranishëm vetëm tre prej tyre, Ahmet Tobli, Shaban Selmanaj e Lulzim Popa. Megjithë pretendimet e mbrojtjes, gjyqtarja e çeshtjes ka lënë në fuqi kërkesën  e prokurorisë duke dënuar me 1 muaj burg secilin prej tetë të akuzuarave për veprën  penale të “Shkatërrimi i pronës” parashikuar nga neni 150 I Kodit Penal dhe 5 muaj burgim për “Kundërshtimit të punonjësit policisë së rendit publik”, të parashikuar nga neni 236/2 i Kodit Penal. Vendimin sipas avokatit mbrojtës do e apelojnë në Gjykatën e Apelit në Shkodër.

Në qershor të vitit kaluar, Gjykata e Kukësit shpalli fajtorë 25 protestues të akuzuar për dëmtimin e pikës së pagesës në rrugën e Kombit, gjatë protestës së 31 marsit, ndërsa personat e përfshirë kanë pranuar akuzat e prokurorisë. Gjykata ka dhënë për shumicën e tyre, 20 protestues, dënim me kusht nga 4 deri në 8 muaj, dy u dënuan me kohën e paraburgimit, ndërsa tre të tjerë me gjobë nga 100 mijë lekë. Në këtë rast ishte aplikuar “Gjykimi me marrëveshje” i përfshirë s ëfundmi në Kodin e Procedurës Penale, mes prokurorisë dhe të akuzuarve.

Protestuesit e dënuar
Ervis Oruçi
Armand Ademaj
Fatos Harulla
Mirdaim Nerguti
Lulzim Popa
Ahmet Tobli
Shpetim Todaj
Shaban Selmanaj