Doktori afrikano-jugor që la vendin e tij për Tiranën në kërkim të vajzës që solli në jetë me një shqiptare

21 Nëntor 2019, 22:28

TIRANE- Një afrikano-jugor, i cili njihet si Dr. Beni dhe jeton në Shqipëri është në kërkim prej 10 vitesh, të vajzës që ka me një shqiptare. Kjo e fundit la Shqipërinë dhe u largua bashkë me vajzën vite më parë drejt tokës helene. Urbain Massena erdhi në Shqipëri në kohën e diktaturës komuniste kur ishte 7 vjec, ndërsa në vitin 2001 ai u njoh me shqiptaren nga Tirana me të cilën bashkëjetoi për afro 4 vite.

Mbrëmjen e sotme, Urbain Massena 61 vjeç, në emisionin ”Pa Gjurmë”  rrëfeu historinë e jetës, në kërkim të vajzës me emrin Eden, që erdhi në jetë nga bashkëjetesa me vajzën nga Tirana. Kjo e fundit u largua nga shtëpia në vitin 2005 duke marrë me vete vajzën 4 vjeçe. Çifti jetuan të ndarë, ndërsa gruaja në Rinas dhe babai në një lagje të Tiranës.

Ishte viti 2010 kur ish-bashkëjetuesja vendos që bashkë me vajzën, pa autorizimin e babait, të largohet në drejtim të shtetit grek, ndërkohë që këtu ka shkëputur çdo lloj kontakti. Babai kërkon të takojë Eden, vajzën e tij që sot është një 17-vjecare.

"Ne kemi pas bashkëjetuar faktikisht dhe vendosëm që të sillnim në jetë një fëmijë. Prindërit e saj kërkonin që ajo të ikte sepse ajo nuk ka ikur e vetme. Mori fëmijën me vete në Rinas sepse atje kishte shtëpinë ajo. Gjatë kohës që mori fëmijën  unë nuk e dija nëse fëmija ishte regjistruar apo jo. Ajo më thoshtte që vajza ishte regjistruar por në të vërtetë nuk ishte regjistruar. E binda që ta regjistronim fëmijën pasi nuk mund ta linim të paregjistruar. Më vonë mora vesh që  Unë jetoj i vetëm që kur ne u ndamë në vitin 2008. Në fillim pata kontakte me fëmijën por më mbrapa në vitin 2010 kur ikën u shkëputëm. Vetëm 2-3 herë e kam takuar. Ajo nuk i’a ka dhënë numrin e telefonit tim që të flisnim. Pasi u shkëputëm ne u lidhëm prap dhe kemi kontakte, hera e fundit që kemi folur është para 5 muajsh. E mora në telefon dhe u habita se tha “e pate fëmijën në Shqipëri, pse nuk e mbajte. Dallëndyshja nuk ka dashur që të bëjë fëmijë.. Kam që në vitin 2010 pa e parë vajzën. Më ka marrë malli shumë për vajzën, e kam dashur shumë se atë kisha. Kisha 3 vdekja pas ikjes së fëmijës, i vetmi ngushëllim ishte ajo dhe atë ma morën. Dua vetëm ta shoh njëherë vajzën", deklaron doktori afrikano-jugor. 

Gjatë transmetimit live në emisionin ’’Pa gjurmë’’, ish-bashkëjetuesja reagon për herë të parë, duke dhënë një tjetër version, nga ai që deklaron Urbain Massena. Ajo jep këtë version kontradiktor me të parin, duke mos dashur të bëhet publike identiteti i saj. 

"Nuk është e vërtetë që e kam penguar vajzën të takohet me Benin. Në  dhjetor mbush moshën madhore dhe nuk është e vogël që ta mbaj unë me zor. Vajza ka pasur komunikim me zotërinë në fjalë në fillim kur erdhëm në Greqi dhe ajo e mori në telefon babanë. Vajza i tha që ti nuk do më marrësh në telefon por do të marr vetë, mos më bezdis. Beni bëhej tapë dhe i nxirrte edhe shokët e tij në celular. Vajza ime është në kujdestarinë time nga ana e gjykatës në Tiranë. Vajza është në mbiemrin tim pasi kujdestaria më ka kaluar mua, ai nuk ka pranuar që t’i japi atësinë. Është bërë një gjyq paraprak për t’i dhënë një mbiemër vajzës pasi deri në moshën 8-vjecare vajza nuk figuronte në asnjë vend, thjesht kishte një certifikatë nga materniteti ku lindi. Gjithmonë i thoja që ta regjistronim vajzën, por ai refuzonte. Kur bëmë gjyqin paraprak për regjistrimin e vajzës na u dha e drejta të dyve, por kur shkuam në gjendje civile zotëria nuk pranonte sepse nuk kemi qenë të martuar me letra. Ai ka sjellë edhe Interpolin këtu duke ju thënë që vajzën ma kanë rrëmbyer, ma kanë futur në punë që në moshën 9-vjecare. Vajza ime është në shkollë dhe nuk është rrugëve. Unë jam e martuar dhe kam familje nuk jam në atë gradë që thotë ai. Vajza i thotë që nuk dua asnjë lloj komunikimi me ty,  nëqoftë se të dua si baba, unë të marr në telefon. Tani u kujtua ai që vajza u bë grua? Unë kam marre vizë në vitin 2010 këtu në Greqi, nuk erdha nëpër male. Me një njeri që pi gjithë ditën , që flet çfarë t’i vijë në mendje, i kujtohet fëmija vetëm kur është i pirë, nuk mund të quhet baba dhe bashkëshort", shprehet ajo.

Sot, Urbaini, që la atdheun e tij për të jetuar në Shqipëri, shtëpinë e dytë sikundër e konsideron ai, prej vitesh orvatet dyerve të gjykatës, për të gjetur të drejtën e munguar, boshllëkun që ka lënë në jetën e tij mungesa e Eden, e cila sot eshtë 17 vjeçe dhe prej vitit 2010 ka shkëputur cdo lloj kontakti me të atin.