DOKUMENTI EKSKLUZIV/ 'Gazi helmues' i paditur nga opozita, u ble nga Basha e Berisha në shkurt 2011

21 Mars 2019, 12:28

“Gazi helmues” i llojit “CSS”, i përdorur nga Policia në javët e fundit gjatë trazirave me protestuesit e opozitës tek selia e Qeverisë dhe ajo e Kuvendit dhe për të cilin dje Partia Demokratike ka bërë kallzim penal kundër ministrit të Brendshëm Sandër Lleshaj dhe disa drejtuesve të Policisë, në të vërtetë është blerë për Policinë shqiptare pikërisht nga Lulzim Basha, kur ai ka qenë ministër i Brendshëm. Prova për këtë është në një dokument ekskluziv, të cilin e ka siguruar dhe po e publikon Redaksia Investigative e Shqiptarja.com. Fjala është për faturën e pagesës së bërë shoqërisë ''PortCroft Ltd'' me seli në Belize, një parajsë fiskale e Amerikës Qendrore, më 8 mars 2011, me të cilën janë blerë nga Policia e Bashës 600 granata me gaz lotësjellës model “G-303- CSS”, të njejtat që janë përdorur ditët e fundit në Tiranë. Granatat e gazit lotësjellës “CSS” janë paguar me 62.1 euro secila për një total 37.260 euro.

Me të njejtin urdhër u blenë nga Lulzim Basha edhe 40 “lëshues gazi lotësjellës” (teknisht ato quhen Protectojet), një armë kjo shumë e fuqishme, që e hedh gazin nga një distancë e largët: këto armë speciale janë paguar 1.787 euro secila, me një kosto totale prej 71.480 eurosh, së cilës i shtohen 31.900 euro të tjera për gazin lotësjellës me të cilin mbushen. Ne atë kohë janë blerë edhe 500 granata shurdhuese, edhe këto (ndryshe nga Projectojet-ët) të përdorura ditët e fundit gjatë trazirave të Tiranës. Vlera e përgjithshme e faturës është 171.690 euro.