Dokumenti kompromentues/ Meta kërkoi që LSI të kishte anëtarë në Kushtetuese

11 Shtator 2019, 11:14

Presidenti Ilir Meta nisi në muajin korrik të këtij viti një fushatë të paprecedentë sulmesh kundër reformës në drejtësi, investimit më të madh të SHBA-BE në Shqipëri gjatë tre dekadave të fundit. Meta e etiketoi reformën në drejtësi si Ramaformë dhe pjesë të një komploti ndërkombëtar, ndërsa sulmeve të tij iu përgjigj në mënyrë të tërthortë Ambasada Amerikane në Tiranë me 8 mesazhe në mbrojtje të reformës. Sipas kreut të shtetit ‘Ramaforma e la vendin për Gjykatë Kushtetuese’, anëtarët e të cilës, përveç Vitore Tushës të cilën Meta e propozoi për kryetare të KLSH, u shkarkuan për pasuri të paligjshme ose dhanë dorëheqjen për t’i shpëtuar Vetingut. Po sa i vërtetë është shqetësimi i Presidentit për mungesën e Gjykatës Kushtetuese dhe cili ka qenë plani i tij për këtë gjykatë? Cila është ideja e Metës për pavarësinë e Kushtetueses?

Shqiptarja.com sjell në vëmendje një dokument të Lëvizjes Socialiste për Integrim, të vitit 2015, në atë kohë me në krye Ilir Metën, ku LSI kërkon të ketë anëtarë të saj në Gjykatën Kushtetuese ashtu siç përfaqësohet me anëtar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Dokumenti me propozimet e LSI është hartuar në kuadër diskutimeve në atë kohë për ndryshimet Kushtetuese, të miratuara një vit më vonë, ku u projektua arkitektura e drejtësisë së re. Dokumenti është dorëzuar në komisionin për reformën në drejtësi. LSI në atë kohë me në krye Metën propozonte që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të zgjidheshin mes marrëveshjes mes partive politike, duke ruajtur balancën e përfaqësimit si në KQZ. “Një shembull i mirë që ka funksionuar sa i përket vendimmarrjes konsensuale dhe që nuk lidhet me vendimmarrjen me shumicë të cilësuar, duke ruajtur balancën, është zgjedhja e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Gjithashtu praktika e derisotme në emërimin e gjyqtarëve të gjykatës Kushtetuese sipas një marrëveshje politike për paritet ndërmjet pozitës dhe opozitës, ka dhënë rezultat. Gjykata Kushtetuese në sjelljen e saj nuk ka krijuar shumë hapësira për kontestim publik. Ajo ka qenë dhe mbetet një gjykatë jo e kontestuar”, thuhet në dokumentin e LSI-së.