Dokumenti që ‘fundosi’ Donika Prelën, prokurorja u largua nga drejtësia për 74 mijë euro

26 Shtator 2020, 17:16

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, shkalla e dytë dhe e fundit e Vetingut, vendosi shkarkimin nga detyra të ish-kryeprokurores së Krimeve të Rënda, Donika Prela, bazuar mbi një dokument të Komisionerit Publik Florian Ballhysa, paraqitur në KPA në 18 shtator 2020, ku hidheshin poshtë provat dhe pretendimet e zonjës Prela për justifikimin e pasurisë. Komisioneri ritheksonte në dokumentin në fjalë se Donika Prela duhej të shkarkohej nga detyra, me argumentin se prokurorja ndodhej në kushtet e deklarimit të pasaktë të pasurisë, të paplotë, të pamjaftueshëm dhe jo në përputhje me ligjin. Pothuajse të gjitha konkluzionet përfundimtare të Komisionerit Publik për pasurinë e Donika Prelës janë pranuar nga Kolegji i Posaçëm të Apelimit.

Sipas Komisionerit Publik, bashkëshorti i Donika Prelës nuk ka paguar detyrimet tatimore për të ardhurat. Për rrjedhojë, një pjesë të kursimeve cash të prokurores, të përdorura për blerje të pasurive të paluajtshme, janë konsideruar të paligjshme. Në vitin 2007, Prela ka blerë një apartament në Tiranë 32 mijë euro, me sipërfaqe 95.6 m2. Sipas Komisionerit, nga shuma 32 mijë euro, Prela nuk justifikon 2.8 milionë lekë ose rreth 23 mijë euro. Konkretisht, në vitet 2006-2927, Prela rezulton me balancë negative 7.7 mijë euro si dhe nuk provon dot një hua 15 mijë euro.