Donika Prela u konfirmua në detyrë, PD: Drejtësia, vegël që i shërben pushtetit

5 Shkurt 2019, 13:53

Deputeti i Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj e ka cilësuar vendimin për qëndrimin në detyrë të drejtueses së Krimeve të Rënda, konfirmim se reforma në drejtësi ka dështuar dhe se sistemi është i kapur nga krimi dhe politika në shërbim të tij.

Alibeaj u shpreh këtë të martë në një deklaratë për mediat se pavarësisht konstatimit të vëzhguesve ndërkombëtarë, se Donika Prela ka mashtruar shtetin shqiptar me dyshimin e fortë  të pastrimit të parave nga korrupsioni, komisioni i Vettingut vendosi ta mbajë dhe ky vendim sipas tij dëshmon se drejtësia e re është vegël e pushtetit dhe jo e të së vërtetës.

Teksa në fund e ka cilësuar vendimin për Donika Prelën në shkelje të plotë me ligjin, Alibeaj u bëri thirrje qytetarëve që të bashkohen në protestën e datës 16 shkurt me synimin për t'i dhënë fund drejtësisë që mbron politikanët e korruptuar me lidhje kriminale.


Vëzhguesit ndërkombëtarë gjetën se Donika Prela, brenda një kohe të shkurtër, ka shitur prona me çmim 4 herë më të lartë sesa I ka blerë, duke vënë në dukje se me të ardhurat e deklaruara nuk justifikohej as blerja lirë e disa apartamenteve. Vezhguesit Ndërkombëtarë gjetën se bashkëshorti i Donika Prelës ka fshehur të ardhurat, ka punuar në të zezë, duke mos paguar taksat për shumë vjet, duke mashtruar shtetin shqiptar, me dyshimin e fortë të pastrimit të parave nga korrupsioni.