Dordolec, kaqol'/ Maliqi: Burgjet po plasin, drejtori i paaftë, me të kaluar të errët, kërcënon e shantazhon punonjësit

16 Maj 2019, 17:34

TIRANE-Ish-zv/ drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve nga 2017 Lefter Maliqi, tashmë deputet i Kuvendit të Shqipërisë (nga listat e PD-së për qarkun e Beratit) thirri në interpelancë ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj për institucionin ku ai ishte deri para dy muajsh. Deputeti Lefter Maliqi lëshoi akuza të forta në drejtim të drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve Agim Ismaili. Deputeti Maliqi u shpreh se Ismaili është i paaftë, me të kaluar të errët dhe pa arsimin e duhur për të drejtuar atë institucion. Përveç tenderave, ku hodhi dyshime të forta, Maliqi e akuzoi Ismailin se ka shantazhuar dhe kërcënuar punonjësit e burgjeve.

"Drejtori aktual i Burgjeve a është me meritë aty? Cfarë shkolle ka mbaruar pasi më rezulton se deri në 2001 ka qenë polic? A e keni parë të kaluarën e tij, është liruar për bashkëpunim në përgjim, ku akuzohej Sokol Kociu në lidhje me drogën që e bëri publike këngëtarja. Është shkarkuar në 2004 për paaftësi. Tani bëhet drejtor i përgjithshëm i burgjeve, por nuk i njeh, për katër muaj ka shkuar vetëm një Fier, por con e-maile, shantazhon, drejtorët nuk i pret.

Kërcënime dhe shantazhe me drejtorin e policisë së burgjeve. Tenderat në drejtorinë e burgjeve bëhen te ministria e Brendshëm. Administrata kërkon mbështetje. Merreni dhe pyeteni të shikoni nivelin e tij, mezi lexon, ai kërcënon policet femra, u thotë 'dordolec' policeve. U thotë policëve 'kaqola', quan kandar burgun e Vaqarrit. Ky njeri ka marrë edhe kompetenca të jashtëzakonshme. Ai shantazhon të gjithë punonjësit dhe drejtuesit, ka kërkuar të shkarkojë dy- tre herë kunatin e n/ kryetares së Kuvendit.

Një ditë mund të plasë me këtë situatë" deklaroi ai. Lefter Maliqi tha se drejtuesit e PS-së kanë dijeni për situatën, por thonë sipas tij se nuk e kanë vendosur ata. Por ministrja Gjonaj reagoi duke i kujtuar se ai ka qenë pjesë e sistemit deri pak muaj më parë, ndërsa denoncimet që bëri ti dërgonte në prokurori nëse kishte prova. Në fjalën e saj ministrja e Drejtësisë lajmëroi se shumë shpejt do të mbyllen burgjet e Krujës dhe Sarandës për shkak të amortizimit.

Në vitin 2017 Lefter Maliqi ishte në listat e PD si kandidat në Berat, por jo në listën fituese. Për këtë arsye, ai u largua nga PD duke kaluar me PS. Si shpërblim për rezultatin e arritur në zgjedhjet vendore në Berat shumica e emëroi zv. Drejtor të Përgjithshëm të Burgjeve. Por pas djegies së mandateve nga opozita e vjetër, i erdhi radha në listë dhe ai pranoi që të merrte mandatin.